Duke folur rreth heqjes së termit “20%”, profesori universitarë, Argëtim Saliu në një prononcim për indeks.mk ka thënë se partitë politike shqiptare duhet të jenë të bashkuara, të unifikuara rreth këtij qëllimi dhe nuk duhet të kenë dallime.
“Establishmenti, krerët e partive politike shqiptare duhet të krijojnë një qëndrim të harmonizuar që të vijë deri tek ndryshimi i Kushtetutës. Taksativisht, nenit 7-të ku përmendet se gjuha zyrtare është gjuha e atyre që janë mbi 20%”, tha fillimisht Saliu. Shtoi se në asnjë shtet në asnjë Kushtetutë nuk i vlerëson qytetarët e shtetit në mënyrë sasiore siç është tek ne.
“Bazuar në praktikat e kushtetutave të ndryshme nga rajoni dhe nga arenat ndërkombëtare, ne në asnjë kushtetutë nuk hasim që kushtetuta në mënyrë taksative tregon apo i vlereson qytetarët e shtetit në mënyrë sasiore, siç është në vendin tonë, ku ne karakterizohemi si 20 përqindsh”.
Në një shkrim të mëhershëm, profesor Saliu kishte potencuar se Kushtetuta e një shteti normal, demokratik duhet vazhdimisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohet vazhdimisht. E si shembull pozitiv, Saliu ka marrë Kushtetutën e Kosovës në të cilën, gjuha Serbe njihet si gjuhë zyrtare.
“Nga pratika mund të merret si model neni 5 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku në mënyrë taksative theksohet se gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhë zyrtarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Saliu.
Ndryshe, javë më parë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti takoi kreun e PDSH-së për të diskutuar rreth heqjes së termit 20% dhe për të njëjtën çështje është deklaruar edhe Aleanca për Shqiptarët. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi tha dje se përveç termit “20%” nuk diskutohet fare heqja e “Badenterit” dhe “Balancerit”.