Ndryshime te “Kënga Magjike”, Ardit Gjebrea zbulon detaje: “Nuk ka ndodhur kurrë më parë”


Përmes një postimi në Instastory, Ardit Gjebrea ka paralajmëruar se së shpejti nis edicioni i 23-të i Këngës Magjike. Moderatori i njohur shprehet se këtë vit do të ketë shumë ndryshime duke zbuluar se festivali do të zgjasë katër netë dhe jo tre sikurse ka qenë në edicionet e mëparshme.

“Jam shumë i lumtur dhe njëkohësisht krenar për fillimin e edicionit të 23-të të Këngës Magjike. Ky edicion do të jetë padyshim më i miri në historinë e festivaleve në Shqipëri, pasi për herë të parë aplikohet teknologjia më e re televizive evropiane në paraqitjen e tij.

Për herë të parë artistët e huaj janë të një niveli që nuk ka ndodhur më parë në një garë në vendin tonë. Për herë të parë Kënga Magjike do të zhvillohet në 4 netë, ku nata e tretë do të jetë Nata Finale Tradicionale Shqiptare dhe nata e katërt do të jetë Grand International Kënga Magjike.

Ky edicion do të ketë shumë “për herë të parë” ndaj dhe uroj të jetë një bekim për çdo artist pjesëmarrës dhe kënaqësi për të gjithë ju që do e ndiqni!”, ka bërë me dije ai.