Ndoqi ambulancën në autostradë, gjobitet dhe i pezullohet patenta për 1 vit shoferit

Një drejtues automjeti është proceduar me masë administrative dhe pezullim të lejes së drejtimit pasi është konstauar duke ndjekur ambulancën e cila ishte në shërbim emergjence.

Policia Rrugore e Tiranës në vijim të kontrolleve të ushtruara për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në rrugën interurbane Durrës-Tiranë, ka konstatuar dhe ndaluar një automjet që ndiqte ambulancën e cila ishte në shërbim emergjence.

Ndaj drejtuesit të automjetit u vendos masa administrative 30000 lekë të rinj si dhe pezullimi i lejes së drejtimit 12 muaj.

Policia Rrugore e Tiranës apelon që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes në raport me rregullat e qarkullimit rrugor dhe veçanërisht për të mos ndjekur nga afër dhe shfrytëzuar progresionin e lëvizjes së mjeteve të emergjencave, me sisteme zanore dhe pamore ndezur.