Ndodh në Indi: Banorët përdorin bajgat e lopës si kurë ndaj COVID


Teksa pandemia e COVID-19 mbetet ende aktive në Indi, shumë banorë i janë rikthyer trajtimeve tradicionale të sëmundjeve, mes të cilave përfshihet dhe fërkimi me urinë ose bajga lope për të luftuar virusin.
Por doktorët po paralajmërojnë kundër praktikës së vjetër duke thënë se nuk ka asnjë provë që rrit imunitetin apo ndihmon në trajtimin e COVID-19.
“Ka gjithashtu edhe rreziqe të tjera nga lyerja apo konsumi i produkteve të tilla, siç janë sëmundjet që përhapen nga kafshët te njerëzit,” tha për agjencinë Reuters, Dr. J.A. Jayalal, kreu i shoqatës mjekësore të Indisë.

Në fenë Hindu, lopa konsiderohet si simbol i shenjtë i jetës dhe tokës.
Zhvillimi vjen pasi rezidentë të rajonit perëndimor indian Gujarat shiheshin duke vizituar fermat e lopëve për t’u fërkuar me jashtëqitjet e tyre, e më pas duke përqafuar apo nderuar lopët derisa përzierja të thahet.
Pas tharjes, trupi i lyer duhet të pastrohet me qumësht lope, sipas zakonit.

Ndërkohë India është goditur nga rreth 22 milionë raste aktive me koronavirus dhe 246,000 vdekje deri tani. Disa rajone të vendit mezi po përballojnë kërkesat për hapësirë spitalore, oksigjen dhe pajisje mbrojtëse.
Dr. Anthony Fauci, këshilltari mjekësor i President Biden në SHBA, tha se vendi duhet të dyfishojë hapësirat spitalore dhe të punojë me vende të tjera për të siguruar vaksinat e nevojshme.