Ndodh mrekullia, 3-vjeçarja nxirret e gjallë pas 65 orësh nga rrënojat e tërmetit në Izmir

Sot në orët e para të mëngjesit një vajzë e vogël, vetëm 3 vjeç, është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e banesës së shembur nga tërmeti i fortë që goditi Turqinë.
Vogëlushja Elif, është nxjerrë e gjallë pas 65 orësh në rrënoja, ndërsa disa orë më herët u nxorrën motrat e saj binjake dhe nëna. Bëhet me dije se vëllai i saj Umut, 7 vjeç ka humbur jetën.

Ekipi i kërkim-shpëtimit, familjet dhe të gjithë në zonën e rrënojave kaluan momente emocionuese.
Në një postim në Twitter, Mehmet Gulluoglu, kreu i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), shprehu kënaqësinë për shpëtimin e vajzës së vogël, ndërsa operacioni për nxjerrjen e saj u ndoq me zemër në dorë nga mediat dhe nga familjarët.