Ndërtesat që po prishin imazhin e sheshit të Shkupit! 10 vite që nga fillimi i ndërtimit të tyre, të lëna në gjysmë


“Jemi në Qendrën e Qytetit të Shkupit, ndërtesat të cilat gjinden prapa meje pothuajse 10 vite po ndërtohen por të njëjtat nuk po arrijnë të përfundohen”, informon gazetarja Remzije Bilalli. Qytetarët shprehen të pakënaqur, pasi siç thonë, këto ndërtesa po e prishin imazhin e sheshit më të madh të Shkupit.

“Po duhet të ndërtohen qysh në kohën e VMRO-së kur ishte, humbën Qeverinë kështu që u vjetërsuan dhe mbetën si shëmti në qytet dhe tani nuk e di me kryetaren e re çfarë do të bëhet, duhet të vazhdohet ky projekt të ndërtohet përndryshe ngel si shëmti në qendrën e qytetit e Shkupit”, thotë një qytetar.

“Unë jam për ndërtim, çfarëdo që ndërtohet për qytetin megjithatë duhet të jetë në frymën se ku është ndërtuar dhe pse është ndërtuar dhe jo vetëm kështu të vendosen, megjithatë kjo ka njëlloj strukture, por jo është bërë shumë gjatë madje na shqetëson ne qytetarëve në Shkup, duhet sa më shpejt të bëhet”, tha një qytetar.

“Unë jam nga Velesi, mendoj që duhet, qendra është e bukur këtu por për ato ndërtesa nuk di çfarë të them”, tha një qytetar. Këto objekte në vitin 2011 filloi t’i ndërtojë biznesmeni grek Dimitris Kondominas, e pas arrestimit të tij në vitin 2015 në Greqi, projektin e mori biznesmeni rus Sergej Samsonenko, por që atëherë punimet janë stopuar.
Pyetëm në disa institucione, por asnjëra me përgjigje konkrete. Nga Qeveria e RMV-së për TV 21 theksuan se përgjigje duhet kërkuar në Komunën Qendër.

“I gjithë dokumentacioni është dorëzuar në Komunën e Qendrës. Me procesin e decentralizimit, komuna i merr kompetencat duke menaxhuar tokën ndërtimore shtetërore”, thonë nga Qeveria e RMV. Edhe Qyteti i Shkupit topin e hedh te Komuna Qendër. Nga Komuna Qendër thonë se tokat i janë tjetërsuar Republikës së Maqedonisë, përkatësisht Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, në prill të vitit 2011 me qëllim të ndërtimit të kompleksit hotelier në një truall dhe në tjetrin kompleks hotelier me institucionet shtetërore, me çmim të përgjithshëm prej 38.478.800,00 denarë.

“Sis Invest Group Doo Shkup me Ministrinë e Transportit kanë lidhur aneks të marrëveshjes në gusht të vitit 2016, e cila rregullon çështjen e inkasimit të gjobave kontraktuale dhe ndërprerjen e njëanshme të kontratës. Leja e ndërtimit është lëshuar për objektin për funksionimin e kompleksit hotelier dhe institucioneve shtetërore, e cila ka hyrë në fuqi më 10 prill 2012”, thonë nga Komuna Qendër.

Sipas tyre Komuna Qendër mbikëqyr nëse investitori ndërton në përputhje me lejet e lëshuara. E çfarë do të ndodhë me këto ndërtesa nga kjo komunë theksuan se duhet drejtuar tek investitori.
Ndryshe ky ishte projekt i Shkupit 2014, për ndërtimin e të cilit pati dhe vazhdon të ketë shumë polemika politike. Reagim asokohe kishte edhe nga një pjese e sektorit civil që ky vend të mos shitet, por të rindërtohet “Xhamia Burmali” e cila ishte rrënuar gjatë luftës së dytë botërore.