Rreth 100 shkencëtarë janë të bindur se rritja mesatare globale e nivelit të detit do të jetë shumë më e lartë sesa parashikohet nga Këshilli Botëror i Klimës.
Deri në vitin 2100 niveli i detit mund të rritet mesatarisht me më shumë se një metër dhe në vitin 2300 edhe me më shumë se pesë metra – nëse njerëzimi vazhdon të emetojë kaq shumë gazra që shkaktojnë efektin e serrës si deri tani. Ky është rezultati i një studimi aktual të 106 ekspertëve kryesorë, njofton Instituti i Potsdamit për Studimin e Pasojave Klimatike (PIK). Në grupin studimor të drejtuar nga Universiteti Teknologjik Nanyang (NTU) në Singapor, u përfshinë përveç PIK-ut universitete nga Hong Kongu, SHBA, Britania e Madhe dhe Irlanda.
Parashikimi i ri bazohet në shtimin e njohurive për sistemet ujore në botë – dmth. oqeanet, masat e akullit dhe rrjedhat ujore. Dhe sipas studimit vlerësimet e deritanishme lidhur me rritjen e nivelit të detit janë shumë të ulëta.
Ne e kemi vetë në dorë
“Ajo që ne bëjmë sot brenda disa dekadave përcakton rritjen e nivelit të detit për shumë shekuj, këtë gjë analiza e re tregon më qartë se kurrë më parë,” shpjegoi Stefan Rahmstorf nga Instituti Potsdam. “Por ky është edhe një lajm i mirë, sepse ne e kemi vetë në dorë emetimin e gazrave që shkaktojnë efektin e serës. Pra nese e rrisim emitimin, shtojmë rreziqet për miliona njerëz që jetojnë në brigjet bregdetare të botës”.
Nëse ngrohja globale – në krahasim me nivelin paraindustrial – do të kufizohet deri në një maksimum prej dy gradë celcius sipas marrëveshjes së klimës në Paris, ekspertët parashikojnë deri në vitin 2100 një rritje të niveleve të oqeanit prej rreth 50 centimetrash në një mesatare globale, dhe deri në vitin 2030 gjysmë metri ose maksimumi dy metra.
Kurse nëse emetimet e gazrave që shkaktojnë efektin serrë nuk pakësohen dhe ngrohja mesatare globale do të jetë rreth katër gradë e gjysmë celsius, ekspertët, parashikojnë një rritje përkatësisht më të madhe të nivelit të detit: nga 0.6 në 1.3 metra në 2100 dhe nga 1.7 në 5.6 metra në 2300.
Shkrirja e mburojave akullnajore
Sipas ekspertëve paqartësitë më të mëdha lidhen me akullnajat e Groenlandës dhe të Antarktidës. Matjet satelitore tregojnë se mburojat e akullnajore po e humbasin masën e tyre gjithnjë e më shpejt për shkak të ngrohjes globale. Në përgjithësi, vlerësimi i ri i rrezikut është gjithashtu më i lartë se ai i Këshillit Botëror të Klimës IPCC. Ky i kishte ngritur kohët e fundit parashikimet e tij për ngritjen e niveleve të detit me gati dy të tretat. Por tani duket sikur sfida është edhe më e madhe nga sa mendohej – dhe prandaj kundërmasat janë edhe më urgjente, thekson Instituti i Potsdamit për Studimin e Pasojave Klimatike.