Ndërron jetë Xhevdet Vejseli, Sokrati shqiptar i kohës sonë

Ka lindur në fshatin Kopanicë e Vardarit nga babai Shafiu dhe nëna Sadikeja si më i madhi nga të shtatë fëmijët (katër djem dhe tri vajza).
Ciklin e ulët të shkollës fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse ciklin e lartë në fshatin Jegunovcë. Shkollimin e mesëm e ka nisur në gjimnazin elitar “Rade Jovçevski – Korçagin” në Shkup, por për arsye teknike e taktike e ka braktisur shumë shpejt për të vazhduar në “Normalja e Tetovës”.

I prirë nga dëshira për artin muzikor dhe nga puna vetëmohuese e mësimdhënëses Advie Kuriu, Xhevdet Vejseli ka marrë pjesë aktive në jetën kulturore të shkollës si korist i përpiktë dhe si mandolinist virtuoz, duke mos harruar për asnjë çast as detyrimet e tjera të parapara me planin dhe procesin mësimor.
Pas përfundimit të ciklit të mesëm shkollor është punësuar si mësimdhënës në shkollën fillore të fshatit Dobrosht ku ka qëndruar deri në vitin 1974 kur edhe ka vendosur që të ngjitet shkallëve të mendimit akademik. Ka qenë shumë i interesuar për të studiuar filozofinë, por me rekomandim të profesorit Xhevahir Shaqiri ka filluar studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup ku për një kohë të shkurtër ka arritur të bëhet figura qendrore e aktiviteteve studentore.

Si sekretar i rinisë së këtij fakulteti ka arritur të vë kontakte edhe me shumë studentë të dalluar të kryeqendrave të ish Jugosllavisë të cilët më vonë u bënë figura udhëheqëse të proceseve të mëdha.
Gjatë kohës së studimeve ka qenë personazh i dashur dhe i respektuar mes profesorësh të dalluar, mes dijetarësh dhe studiuesish të dëshmuar, mirëpo i njohur nga qëndrimet kritike dhe juridike për fenomene të ndryshme politike dhe praktike është ballafaquar edhe me kundërshtarë të rreptë të “logjikës ballkanike” të cilët, në vend që t’i jepnin mundësinë për t’u punësuar si asistent në fakultet, përmes “rrugësh institucionale” e kanë udhëzuar për “riedukim në bazë” duke e detyruar që të punojë për rreth 17 vite (1981-1998) si mësimdhënës në shkollën fillore të fshatit të tij të lindjes.

Nga viti 1998 ka qenë i angazhuar si përgjegjës për çështje organizative në shtëpinë botuese “Logos-A” ku ka punuar deri në vitin 2003. Gjatë viteve 2003-2004 ka qenë sekretar gjeneral i Universitetit të Tetovës ku ka përgatitur të gjitha aktet juridike për legalizimin e tij. Nga viti 2004 deri në pension (2018) ka punuar si udhëheqës i sektorit për veprimtari publike në Qytetin e Shkupit.
Pas përfundimit të magjistraturës në Institutin për kërkime sociologjike dhe politiko-juridike në Shkup (2012) e ka regjistruar doktoratën në departamentin e shkencave juridike të Universitetit të Novi Pazarit, por që, për çështje familjare e shëndetësore, nuk ka arritur ta përfundojë. Edhe pse nuk është kurorëzuar me titullin e shkallës sipërore akademike, ai, në fakt, gjatë jetës së tij ka udhëhequr në mënyrë joformale me dhjetëra e dhjetëra punime magjistraturash e doktoratash dhe po aq punime konferencash e simpoziumesh nga sfera e drejtësisë, e filozofisë dhe e shkencave politike.

Xhevdet Vejseli ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e jetës kulturore të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ka qenë mandolinist dhe defator në orkestrën e ShKA “Xheladin Zeqiri” për një kohë të gjatë (1972-2012), pastaj ka marrë pjesë herë pas here (1983-1998) edhe në aktivitetet e ShKA “Emin Duraku” të Shkupit. Ka qenë tepër aktiv, që nga fillimi, në oktetin e këngëve të vjetra qytetare “Tetovarët”, kurse ndihmesë të rëndësishme ka dhënë edhe në shoqatën kulturore “Sofra gjakovare” të Shkupit.
Ka poseduar një vesh të stërholluar muzikor. Ka pasur potencial intelektual dhe artistik për të trajtuar të gjitha aspektet strukturore, përmbajtjesore dhe estetike të muzikës popullore, sepse atë e ka njohur në detaje. E ka dashur muzikën toske po aq sa edhe muzikën gege. Ka ditur me qindra këngë pollnjane, myzeqare, korçare, përmetare, shkodrane… Me fjalë të tjera, ai e ka njohur në detaje muzikën popullore, por mbi të gjitha atë gjakovare dhe elbasanase.

Pjesën më të madhe të jetës, Xhevdet Vejseli, e ka kaluar mes librash, kurse pjesën tjetër në zgjidhjen e ekuacioneve jetësore, me përplot të panjohura, për të arritur tek e vërteta e pakushtëzuar. Ai ka qenë tipik një Sokrat i kohës sonë, por ja që askush nga njerëzit e tij të afërm (përfshirë edhe mua) nuk arriti të bëhet një nxënës i tij, një Platon, një Aristotel, një Ksenofon, një Aristofan, i kohës sonë… Bile gjatë qëndrimit në kazermën “Bubanj” në Nish, ku ka shërbyer në ish APJ gjatë periudhës kohore 11.9.1979 – 21.8.1980, nga të gjithë ka qenë i njohur si Konfuci shqiptar.

Më kujtohet një njeri kur, para shumë vitesh, gjatë një takimi shumë spontan, i pat thënë: “Sa i lumtur do të ndihesha sikur të isha një filozof sikur ti”. Xhevdeti pa pritur ia pat kthyer: “Jam i pamartuar, andaj nuk mund ta shijoj as lumturinë dhe as të qenit filozof. Njerëzit që kanë gra të mira bëhen të lumtur, ndërkaq ata që i kanë të këqija bëhen filozofë.”…
Ky filozof dhe jurist-artist me hiperkulturë, ka observuar me maturi kozmosin shkencor dhe artistik duke u shquar me ide origjinale e gjeniale. Xhevdeti gjatë bisedave me dëshmitarët e dijes ka trajtuar problematika të ndryshme duke u bazuar si në revolucionin borgjez francez, ashtu edhe në teorinë e relativitetit; si në shkencat natyrore dhe politikën, ashtu edhe në teorinë e dijes dhe të psikoanalizës; si në historinë e religjionit ashtu edhe në kritikën e gjykimit…

Ai fliste në mënyrë konkrete edhe për njeriun konkret prej gjaku e mishi, për hamendjet e tij, për luftërat dhe vuajtjet e tij, për besimin dhe dyshimet e tij. Ai fliste jo rrallë edhe për lumin e trazuar të kohës sonë që ka përmbytur lirinë, vëllazërinë, dashurinë… Fliste po ashtu edhe për kundërmimin e kohës bashkëkohore që i detyron njerëzit, të dyshojnë në gjithçka, të dyshojnë bile edhe në dyshimet e tyre.
Vitet e fundit, i sëmurë nga ethet dhe pabesitë e fatit, sikur u ndikua dukshëm nga filozofia pesimiste e Shopenhauerit, duke theksuar, jo rrallë, se “jeta ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë vuajtje”, pastaj edhe nga filozofia e Niçes, duke neglizhuar çdo vlerë qytetare apo morale. Gjatë vizitave të fundit, që i bëra në shtëpinë e tij rrëzë malit pa ujë, ku ndodhej i shtrirë në shtratin e pagjumësisë, e takoja duke lexuar herë Tolstojin, herë Kierkegardin, herë Kafkën… Më fliste me ndërprerje të shpeshta dhe shqiptim jo fort të artikuluar për vdekjen dhe kotësinë e jetës…

Mbrëmjen e fundit e gjeta duke shfletuar një libër nga Emil Cioran dhe shpejt e pyeta: “Çfarë po kërkon?” Më tha: “Arratisjen.” Iu drejtova me një ton të butë: “Prej kujt dëshiron të arratisesh, o Gaga?” Mezi m’u përgjigj: “Prej vetvetes… Unë jam një i vdekur që vite me radhë kërkoj varrmihësin e zgjuar dhe vajtojcat e tokës së harruar për të më bërë ritualin e fundit të jetës së pajetuar…” I mbylli sytë dhe sikur e mori gjumi, andaj, dola ngadalë nga dhoma e vetmisë, e mbylla derën dhe derisa zbritja shkallëve sikur më erdhi sërish zëri i tij përplot jehonë: “Bota është veçse vullnet dhe paraqitje, nirvana është hiçi i përkryer.”

…Nga Xhevdeti mësova shumëçka, mësova për filozofinë e Dekartit, Paskalit, Spinozës, Kantit, Hegelit, Hajdegerit, Blohut, pastaj për pozitivizmin, ekzistencializmin, për filozofinë e Vitgenshtajnit, për teorinë kritike të Adornos, për racionalizmin kritik të Poperit dhe Albertit, për… Nga ai kam mësuar për ateizmin humanist, për ateizmin politik, për ateizmin moral. Nga Xhevdeti pata dëgjuar se: “kush humb paratë, ka humbur shumë; kush humb mikun, ka humbur edhe më shumë; kush humb shpresën, ka humbur gjithçka”.
Nga ai njeri i mrekullueshëm pata mësuar se artisti qesh, kur njerëzit e zakonshëm mund të qajnë ose derdh lot, kur të zakonshmit e racës njerëzore qeshin… Sot, sërish, më vjen një zë i tij me timbër të mbytur: “Mos qaj që mbaroi, por qesh sepse ndodhi!” Kurse unë i mjeri, i mbuluar me turpin e kohës, këndoj përvajshëm rekuiemin e yjeve të rrëzuar…

Bekim Ramadani