Ndërron jetë Enver Sulejmani nga Tetova, patrioti dhe njeriu që ia kushtoi jetën futbollit

Është ndarë nga jeta krejt papritur Enver Sulejmani nga Tetova, patrioti dhe njeriu që ia kushtoi jetën futbollit, përcjell Open-TV. Ai së fundmi ishte drejtor i përgjithshëm i FC Voska Sport nga Ohri.

Sulejmani ndërroi jetë sot në mëngjes (e shtunë, 30 dhjetor 2023). varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 15:00 njoftojnë nga familja e tij.

Në vitet e 90-ta ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, duke dhënë një kontribut të madh, pastaj edhe te Renova, duke fituar kampionatin dhe kupën. në vitin 2013 u emërua zëvendëssekretar gjeneral në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, ku punoi deri sa u pensionua. Sulejmani ishte i lidhur ngushtë me Federatën e Futbolit të Kosovës dhe të Shqipërisë, ishte mik i madh me Agim Ademin, kryetarin e FFK-së si dhe me gjeneratën e artë të KF Prishtina të viteve të 80-ta, ishte edhe mik i madh me Armando Dukën, presidentin e FSHF-së. Ishte edhe patriot, duke ndihmuar vëllezërit nga Kosova në strehimin e tyre në Tetovë.

I gëzohej cdo suksesi të përfaqësueses së Kosovës dhe të Kombëtares shqiptare. Së fundmi ishte i ftuar në ceremininë “Laureatët 2023” organizuar nga FFK. (Open-TV)