Ndërron jetë djali 24-vjeçar që ishte rrëmbyer dhe detyruar të vetëdigjet

Djali 24-vjeçar që ishte rrëmbyer të enjten në lagjen Çento të Shkupit dhe ishte detyruar të vetëdigjej ka ndërruar jetë. Sot gjatë ditës është kryer autopsia, e cila pritet të japë një pamje më të qartë për hetuesit. Trupi i tij është dorëzuar familjes për të kryer ceremoninë e varrimit.

Djali 24-vjeçar Bilall u gjet nga një polic në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, pasi më parë zjarrfikësit kishin vërejtur një zjarr në zonën industriale aty pranë. Bilalli hyri në aeroport me plagë nga djegiet. Ai i tha policit se ishte rrëmbyer me forcë nga lagjja Çento dhe ishte dërguar në zonën industria Çojlija me makinë.

Sipas raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), disa persona e kishin kërcënuar dhe e kishin detyruar të vetëdigjej, pastaj kishin ikur. Ai kishte arritur ta shuante vetë zjarrin që e kishte përfshirë.

Nuk ka ende informacione nga autopsia, por të njohurit e tij thonë se ai ishte rrahur dhe mbajtur në kafaz. MPB-ja është ende duke punuar në rast, por nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet nëse është konfirmuar rrëmbimi, nëse Bilalli është detyruar të vetëdigjej dhe nëse kanë tashmë të dyshuar për rastin.