Ndërron jetë Cen Aliçkaj, luftëtar i orëve të para të UÇK-së dhe zyrtar i lartë i intelegjencës në FSK

Pas një sëmundjeje të rëndë, sot në moshën 58-vjeçare ndërroi jetë zyrtari i lartë i intelegjencës në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, kolonel në TMK dhe luftëtari orëve të para të UÇK-së, Cen Aliçkaj.

Cen Aliçkaj, është lindur më 29.04.1964 në Lybeniq, rrjedh nga një familje patriotike dhe kombëtare. Qysh në moshën 14-vjeçare ka marrë pjesë në aksione kombëtare, siç ka qenë vendosja e parullave per shkrimet e kohës “Nini rren e Ylli s’rren”. Ai ka qenë aktiv në veprimet kombëtare të viteve 1981, 1982 dhe gjatë gjithë jetës. Më 1982 burgosur politik dhe nuk ka qenë hera e parë.

Në fund të viteve 80 dhe në fillim të viteve 90, Cen Aliçkaj ka qenë njëri ndër organizatoret kryesor të Lëvizjes së Studentëve dhe të aksionit të pajtimit të gjaqeve. Për shkak të ndjekjeve nga pushteti i atëhershëm, në fillim të viteve të 90-ta, ka migruar në Gjermani. Ai edhe atje e ka vazhduar veprimtarinë kombëtare, bashkë me shumë veprimtarë të tjerë. Veprimet ushtarake të Cenës kanë qenë të një niveli të lartë të trimërisë dhe atdhedashurisë. Në ditët e fundit të luftës, ai ishte plagosur, duke e tërhequr kufomën e bashkëluftëtarit Xhemajl Fetahaj. Veprimtarinë patriotike dhe kombëtare, Cen Aliçkaj e ka vazhduar gjatë gjithë jetës së tij.