Ndërron jetë 36 vjeçari në një vetëaksident në magjistralen Prishtinë-Ferizaj

Një person, 36 vjeçar ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër ka marr lëndime trupore të shtunën rreth orës 03:00 në një vetë-aksident në rrugën Prishtinë-Ferizaj. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Sipas saj, personi i lënduar është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

“Sot rreth orës 03:00 në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Njëri nga personat e lënduar nuk ka arrit të përballoj plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës A.Q, mashkull, 36 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë Ahmeti.

Tutje ajo bëri të ditur se trupi i pajetë i viktimës me rekomandim të prokurorit të shtetit është dërguar për obduksion, ndërkohë që lënduari i dytë është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetë-aksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafiku”, tha ndër të tjera Ahmeti. /Telegrafi/