Ndërroi jetë Vullnet Palloshi, profesor në Universitetin e Tetovës


Vullnet Palloshi, profesori universitar i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara në Universitetin e Tetovës ka ndërruar jetë në moshën 68 vjeçare. Varrimi I tij, në prani të familjarëve shokëve e miqve, është kryer sot në varrezat e qytetit të Tetovës.

Prof. dr. Vullnet Palloshi ishte një personalitet i shquar ndër shqiptarët në Maqedoni dhe në nivel kombëtar, i cili në fushën e tij profesionale, inxhinierinë e rrugëve dhe infrastrukturën rrugore, ka dhënë kontribut shumë të çmuar, jo vetëm si ekspert i kësaj fushe, por edhe si punonjës shkencor, ligjërues fakulteti i lëndëve nga kjo fushë dhe si udhëheqës i disa institucioneve në nivel shtetëror dhe i asociacioneve profesionale.

Vullnet Palloshi është shqiptari i vetëm në Maqedoni, i cili mban gradën doktor i shkencave dhe thirrjen mësimore-shkencore të docentit në fushën e inxhinierisë së ndërtimeve-rrugëve, ndër të vetmit edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Për 10 vjet ka qenë drejtor teknik i rrugëve të Kosovës, ndërsa në Maqedoni ka drejtuar institucionet më të rëndësishme të kësaj sfere.
Ai ishte kryetar i lidhjes së inxhinierëve të ndërtimtarisë në Maqedoni dhe nënkryetar i Shoqatës së inxhinierëve të rrugëve në Maqedoni, si dhe kryetar i Komisionit për informim, në nivel republikan, për sigurinë në komunikacion.