Ndërrimi i moteve me incidente nga mjetet piroteknike

“Në krahasim me vitet e tjera mund të themi është një numër më i vogël, sepse si duket njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen” Shqetësuese u konsiderua numri i të lënduarve në natën festive të ndërrimit të moteve, të cilët kërkuan ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Po, gjatë ditës së djeshme ndodhi edhe një aksident me fatalitet, ku një person vdiq në magjistralen Prishtinë – Podujevë. Shefi i reanimimit në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Avdush Bajgora, përmendi disa raste të lëndimeve nga mjetet piroteknike.

“Në këtë natë ka qenë një natë e tmerrshme, numri i aksidenteve kanë qenë jashtëzakonisht i madh, sidomos vlen të përmendet aksidenti, i cili është bërë në relacionin Prishtinë-Podujevë, ku një person ka humbur jetën tre persona të tjerë janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, të cilët gjinden në mjekim intensiv, ndërsa persona të tjerë po ashtu në gjendje të rëndë… Para 10-15 minuta kanë filluar të vijnë persona të lënduar si rezultat i përdorimit të mjeteve piroteknike. Një pacient ka pasur një lëndim jashtëzakonisht të rëndë sidomos në buzën e poshtme që ia është çarë krejt buza. Kemi edhe persona të tjerë që kanë djegie të fytyrës dhe lëndime të tjera. Gjithsej janë 5-6 raste, mirëpo mund të ketë edhe të lënduar të tjerë. Në krahasim me vitet e tjera mund të themi është një numër më i vogël, sepse si duket njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen”, theksoi Bajgora. Aksidenti me fatalitet në magjistralen Prishtinë-Podujevë ndodhi dje në orën rreth 14:30, ndërkohë, në po këtë magjistrale ndodhi edhe një tjetër aksident, nga i cili pati të lënduar.