Ndërpritet linja ajrore Shkup-Sarajevë

Kompania ajrore greke “Aegean Airlines” do të ndërpresë fluturimet e saj mes Shkupit dhe Sarajevës më 29 nëntor, pak më shumë se një vit pas lidhjes së këtyre dy qyteteve. Fillimisht, transportuesi kishte planifikuar të ofronte këtë shërbim tri herë në javë në nëntor dhe dhjetor, dhe dy herë në javë nga janari. Më pas kishte planifikuar fluturime deri më 7 dhjetor, me një operim të kufizuar gjatë periudhës festive nga fundi i dhjetorit deri në fillim të janarit, por tani i ka hequr të gjitha fluturimet që nga fundi i nëntorit, shkruan “Exyuaviation”.

Shitja e biletave për linjën gjatë sezonit veror të vitit 2025 gjithashtu është ndërprerë. Kompania ajrore nuk e ka komentuar vendimin e saj për të ndërprerë fluturimet. Lidhja mes Shkupit dhe Sarajevës përmes kësaj linje ajrore u realizua për herë të parë pas trembëdhjetë vjetësh. Aegean Airlines vitin e kaluar aplikoi për programin e subvencionimit të qeverisë së Maqedonisë për të futur linja të reja nga Shkupi, por u tërhoq pasi tenderi u shpall i pavlefshëm. Ajo nuk mori pjesë në thirrjen e mëvonshme publike të organizuar nga qeveria. Transportuesi ajror grek gjithashtu planifikon të zvogëlojë më tej frekuencat e shërbimit të tij për linjën Athinë – Shkup. Nga dhjetori, transportuesi do të mbajë tre fluturime javore mes dy qyteteve, më pak se gjashtë javore që ishin dimrin e kaluar.