Nderime para përmendores së viktimave nga tërmeti

Delegacione vendore dhe të huaja sot në varrezat e qytetit në Butel, vendosën lule para përmendores së viktimave nga tërmeti katastrofal në Shkup, që ndodhi 55 vite më parë.

Për nder të viktimave, kurorë vendosi edhe delegacioni zyrtar i Qytetit të Shkupit, i udhëhequr nga kryetari i tij, Petre Shilegov.

Nderime për të pësuarit shprehu edhe delegacioni qeveritar në përbërje të Dragan Tevdovskit, ministër i Financave, Damjan Mançevskit, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Zorica Apostoloska, ministre e obliguar për Investime të Huaja.

“Shënimi i 26 korrikut, kur ndodhi tërmeti katastrofal në Shkup, për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë është përkujtim i shumë viktimave, por edhe kujtesë e përjetshme për dhembshuri, ndihmë dhe solidaritet që i tregoi bota ndaj familjeve të viktimave dhe ndaj qytetit të Shkupit. Ai është obligimi ynë,  të kthejmë me dhembshuri  dhe ndihmë ndaj atyre të cilëve u nevojitet, të ndërtojmë shoqëri mbi themelet e solidaritetit dhe të vazhdojmë ta zhvillojmë kryeqytetin me entuziazëm  dhe vizion progresiv, me të cilin ishte rindërtuar”, thonë nga Qeveria me rastin e 55 vjetorit të tërmetit katastrofal në Shkup.

Me vendosjen e luleve, viktimat i nderuan edhe delegacionet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, të partive politike, të gjitha komunave të Shkupit, përfaqësues të Kryqit të Kuq, të ARM-së, të ndërmarrjeve publike, dhe institucioneve kulturore, si dhe shumë qytetarë.

Lule në varrezat e personave të pësuar nga tërmeti, vendosën edhe delegacionet zyrtare nga vendet e huaja, mes të cilave: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika e Kinës, Republika e Francës, Mbretëria Holandeze, Federata Ruse dhe delegacioni i Bashkimit Evropian.