Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve edhe i dyshuari i pestë, me incialet R.I i përfshirë në përleshjen e mbrëmshme në të cilën me armë zjarri është privuar nga jeta një person.
Ndaj të dyshuarit R.I Prokuroria Themelore ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij do të vazhdojë me procedurat e tjera hetimore. “Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve edhe i dyshuari i pestë, me incialet R.I., për shkak të dyshimit se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 08 Nëntor 2021, në Gjilan, në të cilën me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri E.R”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur mbrëmë në lagjen Arbëria të Gjilanit. Lajmin mbrëmë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar nënkoloneli, Remzi Azemi. Policia në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe 7 copë gëzhoja të kalibrave 7.65 dhe 9 mm.