Ndalimi i veshjes së arit për burrat, e zbulon shkenca atë qe e ka thënë Kur’ani

Ibnu Abazi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se profeti a.s pa një burrë, që në dorën e tij kishte një unazë floriri. Ai menjëherë ia hoqi dhe ia hodhi, pastaj shtoi: “A dëshiron ndonjëri prej jush që të ketë një prush prej zjarri e ta vendosë në dorën e tij?! Kur profeti a.s u largua, burrit iu tha: “Merre unazën dhe përfito nga ajo”. Ai tha: “JO, betohem në Allahun që nuk kam për ta marrë asnjëherë përderisa profeti a.s e ka hedhur”.[1]

Kuptimi i disa idiomave:

Përfito nga ajo: Duke e shitur apo duke ia dhuruar ndonjë gruaje që ta vendoste në gisht.

Dritë mbi kuptimin e Hadithit:

Në këtë hadith profetik ka një mësim të madh, ku profeti a.s i orienton sahanët, që të zbatojnë urdhëresat e Allahut e të ndalohen nga ato gjëra, që Ai i ka ndaluar për të mbrojtur veten nga zjarri. Në ftesën e tij drejtuar këtij njeriu, profeti a.s vuri re, se në këtë rast fjala nuk do të mjaftonte, por personit në fjalë duhej t’i hiqej unaza nga dora. Prandaj shumë shpejt ia hoqi e pastaj e hodhi në tokë. Për këtë tregon edhe veprimi i menjëhershëm, sepse dëshironte që të largonte nga ky njeri rrezikun që i kanosej përqark. Ky rast është si rasti i një njeriu që takon një vëlla, pranë të cilit është zjarri që është shumë afër për t’i djegur rrobat. Çfarë duhet të bëjë ai? A duhet që ta këshillojë që të largohet nga zjarri? Apo do ta largojë nga zjarri sa më shpejt të mundet?

Nuk ka dyshim se do ta shpëtojë nga rreziku, pastaj do ta lajmërojë për përfundimin që e priste, ngaqë ai nuk e kishte mendjen. Kështu pra, veproi edhe profeti a.s me këtë njeri, nga keqardhja që kishte për të dhe dëshira për ta shpëtuar nga zjarri. Kjo ishte gjendja e profetit me të gjithë shokët dhe popullin e tij.

Profeti a.s e shoqëroi veprimin me fjalë, për të treguar keqardhje, për të treguar se ai dëshironte, që populli i tij të shpëtonte nga zjarri, të mos ekspozohej përpara rrezikut dhe të kishte kujdes. Nëse një burrë e vendos një unazë floriri, në botën tjetër ajo është një copë zjarri që të djeg. Kjo tregon, se veshja e floririt për burrat përbën një kërcënim dhe një mëkat të madh. Allahu i Lartësuar zbukurimin e ka bërë në këtë botë për gratë dhe i ka premtuar besimtarëve, që do të ketë veshje për ta në botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Aty stolisen me rrathë të artë e me xhevahirë e rrobat e tyre janë të mëndafshta”. Sure El Haxh: 23

Këtu duhet të tërheqim vëmendjen, tek fakti që profeti a.s shpejtoi në heqjen e unazës, me qëllim që ky veprim të kishte më tepër ndikim në zemrat e sahabëve dhe për të afirmuar ndalimin e rreptë të veshjes së floririt për burrat. Profeti a.s e dinte, se njeriut të cilin ia hoqi unazën nuk do të zemërohej e as nuk do të kishte tek ai ndikim negativ, përkundrazi forca e besimit që kishte, do ta bënte që t’i përgjigjej Allahut dhe të dërguarit të Tij. Ai do të arrinte të kuptonte keqardhjen e profetit a.s për të e pastaj do të gëzohej së tepërmi.

Ajo që e konfirmon më së tepërmi këtë, është se ai burri e la fare unazën, megjithëse i dërguari i Allahut nuk e pengoi që të përfitonte pres saj, që ta shiste apo t’ia jepte ndonjë gruaje që ta vendoste. Ai preferoi që të bindej plotësisht për të treguar dhe bindje ndaj urdhrit të profetit a.s, prandaj e la atë si sadaka për ndonjë të varfër, që dëshironte të përfitonte nga vlera e saj.

Nëse ftuesi dëshiron që ta ndyshojë një të keqe, në rradhë të parë duhet që patjetër të jetë i kujdesshëm. Ai duhet të jetë në dijeni të atij që po e këshillon. Ndoshta personi që po e këshillon është i painformuar, i keq apo mendjelehtë. E pastaj e keqja do të ishte më e madhe, ose ai njeri do të largohej dhe do të insistonte në mendimin e tij.

Ftuesi është si mjeku, nuk e përcakton ilaçin derisa të diagnostikojë sëmundjen, sepse në të kundërt dëmi do të ishte më i madh se dobia. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Fto në rrugë të Allahut me urtësi, këshillë të mirë dhe debato me ta në mënyrën më të mirë”. Sure En Nahl: 125]

Në rastin konkret, i dërguari i Allahut ia hoqi atij sahabiut unazën dhe pastaj e orientoi për nga e mira, sepse kjo ishte urtësia e momentit për të, që çoi në dhënien e frytit dhe rezultati u shfaq në përgjigjen e sahabiut të nderuar, pa patur asnjë ndikim negativ apo pa hezituar.

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1- Ndalimi i unazës së floririt për burrat dhe kërcënimi i rreptë për atë, që vendos unazë floriri.

2- Përgjigja pozitive e sahabëve për të zbatuar urdhrin e profetit a.s me dashuri dhe kënaqësi.

3- Kujdesi dhe keqardhja e profetit a.s për shokët e tij.

4- Stili i mençur profetik në thirrje dhe largpamësia e tij, që depërtonte thellë në shpirtrat e atyre që ftonte.

5- Përgjegjësia e ftuesve për të urdhëruar njerëzit për nga e mira, për t’i ndaluar nga e keqja e për t’i orientuar nga rrruga e drejtë.