Qarkullimi në rrugët shtetërore të Maqedonisë po zhvillohet pa pengesa, megjithëse rrugët janë të lagështa për shkak të kushteve dimërore. Nga ora 12:20 është vendosur ndalim për qarkullimin e automjeteve të rënda në rrugën Mavrovë-Dibër dhe në rrugën magjistrale Gostivar-Kërçovë për shkak të reshjeve të borës.
Edhe në kalimin malor Gjavato është vendosur ndalim për qarkullimin e automjeteve të rënda për shkak të reshjeve të borës.
AMSM informon se qarkullimi në dalje nga Gostivari drejt Strazhës është normalizuar dhe se trafiku drejt Ponikvës dhe fshatit Beli po zhvillohet pa pengesa, por në një korsi të vetme.
Intensiteti i trafikut është i moderuar dhe pa vonesa në pikat kufitare. Po ashtu, trafiku është i moderuar në rrugët jashtë zonave urbane. Në pikat kufitare në anën maqedonase nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Lidhja Automoto e Maqedonisë rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes dhe respektimin e sinjalizimeve rrugore.
Kujdes i veçantë kërkohet gjatë drejtimit të automjeteve në rrugët përmes ultësirave, lugjeve të lumenjve dhe grykave, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen posaçërisht për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Segmenti rrugor Ohër – Resnjë, përmes parkut kombëtar Galicica, është i mbyllur për qarkullim për të gjitha llojet e automjeteve që nga 15 nëntori.