Ndalesa e shamisë në shkolla – jokushtetuese, vendos gjykata austriake

Gjykata Kushtetuese e Austrisë hodhi poshtë një ligj, të miratuar vitin e kaluar, që ndalonte shaminë në shkollat fillore, duke thënë se masa ishte kundërkushtetuese dhe diskriminuese. Në një deklaratë, gjykata tha se ligji “shkelte parimin e barazisë në lidhje me lirinë e fesë dhe besimit”.
Ligji i ndalon vajzat më të reja se 10 vjeç të mbajnë shaminë dhe ai ishte sfiduar në Gjykatën Kushtetuese nga dy fëmijë dhe prindërit e tyre.

Masa u miratua në maj të vitit 2019 nga koalicioni i mëparshëm i Partisë së Popullit të qendrës së djathtë (OeVP) dhe Partisë së Lirisë të ekstremit të djathtë (FPOe), vetëm disa ditë para se qeveria të rrëzohej për shkak të një skandali korrupsioni.

Të dyja palët kishin bërë paralajmërime kundër imigracionit dhe kundër “shoqërive paralele”.
Sidoqoftë, teksti i legjislacionit u përpoq të shmangte akuzat e diskriminimit duke thënë se ndalon “rrobat për mbulesën e kokës të ndikuara në mënyrë ideologjike ose fetare”. Gjykata tha se ligji mund të kuptohet vetëm si shënjestër e mbulesave të kokës që përdorin myslimanet.

Ministri aktual i Arsimit nga OeVP, Heinz Fassmann, tha se ministria do të “merrte parasysh gjykimin dhe do të shqyrtonte argumentet e saj”.
Vetë qeveria e partive – OeVP-FPOe – kishte thënë se mbulesa e kokës e veshur nga djemtë e komunitetit Sikh ose kipa hebreje nuk do të ndalohej, shkruan AFP.

Në deklaratën e saj gjykata tha se “ndalimi mund të çojë në diskriminim, pasi rrezikon t’a bëjë më të vështirë për vajzat myslimane të kenë qasje në arsim dhe t’i përjashtojë ato nga shoqëria”.
Përfaqësuesit e komuniteteve myslimane të vendit, e mirëpritën vendimin e Kushtetueses duke thënë se gjykata i kishte dhënë fund “politikës populiste të ndalimeve”.