Ndahet nga jeta nëna e legjendës së futbollit në moshën 101-vjeçare! Vitet e fundit i kaloi në koma, s’e mësoi kurrë për vdekjen e Pele

Nëna e ish-futbollistit legjendar Pelé, Celeste Arantes ka ndërruar jetë në moshën 101 vjeçare në Brazil.

Lajmi u dha nga ish-klubi i tre herë fituesit të Kupës së Botës, Santos. Arantes i kaloi 5 vitet e fundit në një gjendje vegjetative dhe nuk mësoi kurrë për vdekjen e djalit të tij më 29 dhjetor 2022.

Edson Arantes do Nascimento, i njohur në mbarë botën si Pele, ishte një nga tre fëmijët e Celeste Arantes. Fillimisht ajo ishte kundër që djali i saj të bëhej futbollist profesionist, por gradualisht ndryshoi mendim kur Pele u bë lojtar i suksesshëm.

“Santos Futebol Clube i vjen thellësisht keq për vdekjen e Celeste Arantes do Nascimento, nënës së mbretit tonë të përjetshëm”, shkroi klubi brazilian në mediat sociale. “Ajo kishte 101 vite të një historie frymëzuese jete. Një grua me ngjyrë që u përball me fatkeqësi të pafundme në jetë për hir të familjes së saj.”