Është ndarë nga jeta mësues Fiqiret Hoxha, një emër i nderuar në Shkodër.
Një jetë e tërë e mbushur me dashuri për nxënësit, me dëshirën për të përçuar tek ato jo vetëm dije por dhe kulture e edukate, me pasionin për punën e që e bëjnë të ndihet i nderuar në breza mësuesish e nxënësish . Fiqiret Hoxha, një mësues i palodhur, për qytetarët e Shkodrës ishte më shumë se një pjestar i komunitetit të nderuar të mësuesve . I palodhur, ai gjithçka e vuri në shërbim të nxënësve dhe arsimit, këtij profesioni fisnik e human.
Që para se të dilte në pension Fiqiret Hoxha botoi librin e tij të pare që është një vepër me vlera të vërteta shkoncore e historike. “Fletët e Jetës, një monografi arsimore si “Histori Pedagogjike” ndër vite. Një hap, dhe inisiativë të tillë të mundimshme, që i ka kushtuar autorit Hoxha gjashtë vite hulumtim për gati 100 vite arsim në lagjen Rus dhe Shkodër, dhe ku ai ka arritur të japë një shembull tjetër, atë të studiuesit autodidakt, që ka mundur të sjellë në kujtesën e brezave punën e madhe të bërë nga brezat e mësuesve e nxënësve në Shkodër . Ky libër nga fillimi deri në fund përveç punës së organizuar shkencore ,përshkohet dhe nga dashuria për profesionin e mësuesit .
Dhe puna e tij hulumtuese nuk ndalet këtu. Pas këtij libri ai arriti të botojë një tjetër të ngjashëm por për shkollën e Parrucës , një tjetër lagje me tradita në arsim. Përveç këtyre, ai është i angazhuar në hartimin e një enciklopedie për arsimin në Shkodër, punë e cila është në hapat e para dhe ku janë të përfshira figura të njohura të arsimit e kulturës jo vetëm në Shkodër. Duket se ky aktivitet shkencor e krijues është një element më shumë për të plotësuar figurën e mësuesit Fiqiret Hoxha, figurë kjo që imponon respekt të veçantë dhe për një arsye tjetër .Në vitin 1992, ky mësues , do kryente një akt që jo vetëm nuk ka patur të tjerë të ngjashëm, por që i ka shkaktuar dhe dëmtime në shëndet.Ka qenë 20 shkurti i vitit 1992, ajo që do bënte që mësuesi Fiqiret Hoxha të njihej nga të gjithë, dhe pse më pas akti i tij jo i zakontë u la në heshtje.Më 20 shkurt të 1992 ai do bënte një veprim që i kalon përmasat e të zakonshmes, një akt trimërie e përgjegjshmërie për detyrën e mësuesit . U plagos vetë për të mbrojtur jetën e nxënësit që ndodhej në klasën ku po zhvillohej mësimi, dhe që ishte objekt i sulmit.Atë kohë ai punonte mësues i historisë dhe gjeografisë në shkollën 8 vjeçare” Ndre Mjeda “në qytetin e Shkodrës.
Ndërsa ishte duke zhvilluar mësim në klasën e 8, katër persona hapin derën e klasës dhe kërkojnë nxënësin Aldi Nikolli, pasi siç thonë ata kishin punë me të. Duke parë dhe reagimin e nxënësit që ishte zverdhur në fytyrë dhe duke parandjerë se kishte diçka që nuk shkonte, mësuesi Hoxha nuk pranon t’ua japë nxënësin dhe derën e klasës e mbyll me çelës. Por vetëm pas rreth 5 minutash dera e klasës hapet me forcë, personat e mëparshëm hynë në klasë dhe njëri prej tyre me thikë në dorë drejtohet tek banka ku ishte ulur nxënësi 14 vjeçar. Mësuesi Fiqiret Hoxha i del përpara nxënësit dhe zgjat duart për të penguar personin që kishte thikën në dorë. Aty mori goditje në trup, nga thika që i hyn 14 cm në trup që duke i dëmtuar mushkërinë, brinjën dhe një arterie të zemrës. Kolegët e dërgojnë në spital ku pasi qëndron 2 javë në spitalin e Shkodrës i cili në atë kohë kishte kushte të papërshtatshme, dërgohet në Tiranë dhe më pas dërgohet për mjekim në Gjenevë të Zvicrës.
Atje qëndron 2 muaj dhe ndonëse mjekët i japin raport mjekësor për të pushuar 1 vit, 4 muaj pas kthimit rifillon punën. Kishte shpëtuar jetën e nxënësit të tij që donin ta thernin brenda në klasë duke rrezikuar jetën e tij. Nxënësi (që fatkeqësisht vdiq disa vite më vonë në Itali ku jetonte), shpëtoi, falë veprimit të mësuesit të tij, i cili vuajti problemet shëndetësore të shkaktuara nga ajo goditje me thikë. Më 3 mars të vitit 1992, për aktin e kryer, dekorohet nga Presidenti i vendit me medaljen e trimërisë civile. Ndërsa më 2005, këshilli bashkiak i Shkodrës, e nderon me titullin “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” me motivacionin”për ndjenjën e lartë humanitare dhe aktin e lartë e të guximshëm në kryerjen e detyrës së mësuesit, në mbrojtjen e jetës së nxënësit duke derdhur gjakun e tij”
Fiqiret Hoxha prej vitesh ka punuar zëvendësdrejtor në shkollën 9 vjeçare” Skenderbej. Gjithnjë aktiv, në krye të punëve, model në mësimdhënie , ndonëse gjendja shëndetësore si pasojë e asaj ngjarjeje ka patur vazhdimisht probleme. Të gjithë ato që kanë punuar me të , e kujtojnë Fiqeretin për punën e palodhur që bën , për përgjegjshmërinë e sakrificën në shërbim të nxënësve, mësimdhënies e arsimit.Për qytetarët e Shkodrës dhe komunitetin e mësuesve , ai ka qenë n një shembull që nuk duhet harruar asnjëherë.Fiqeret Hoxha , me modestinë e fisnikërinë e tij , është nderuar nga njerëzit e thjeshtë dhe komuniteti i mësuesve që flasin me respekt për atë që ai ka bërë.
Ikja e tij në këtë kohë izolimi nga pandemia COVID-19 ka bërë që shumë qytetarë shkodranë të ndihen të kufizuar në pamundësinë për ti dhënë lamtumirën e fundit, ashtu si ai e meritonte.Të qoftë dheu i lehtë mësues Fiqo