Ndahet nga jeta në moshën 56-vjeçare fizikani, profesori i talentuar dhe njeriu i shkëlqyer akad. asoc. Artan Boriçi
Homazhet në nderim të akademikut të asociuar Artan Boriçi, duke respektuar masat anticovid (mbajtje maske, distancë fizike dhe shmangie grumbullimi), do të mbahen tek Libri Akademik në Akademinë e Shkencave, sot më datë 26 mars 2021, nga ora 13.00-14.00
#AShSh #Nekrologji #AkademikiasociuarArtanBoriçi
Është ndarë nga jeta mbrëmjen e 25 marsit në moshën 56-vjeçare fizikani dhe njeriu i shkëlqyer, profesori i talentuar i Universitetit të Tiranës, akademiku i asociuar Artan Borici, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Është një humbje e madhe dhe e papritur në botën e shkencës ndarja nga jeta e akad. asoc. Artan Boriçit, pas një beteje të vështirë të javëve të fundit me COVID-19.
Akad. asoc. Artan Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të ASH dhe të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale.
Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020.
Kryesia e Akademisë së Shkencave e tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit, i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve, anëtarëve të Akademisë së Shkencave, trupës së profesoratit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku ai ushtroi veprimtarinë e tij akademike dhe universitare, brezave të studentëve që u formuan me dijet dhe etikën e tij, që i la në pikëllim.
I njohur në botën shkencore në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”, akad. asoc. Artan Boriçi bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.
Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.
Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010.
Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).
Akad.asoc Artan Borici ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9. Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Review D dhe Journal of Computational Physics. Është pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.
Artan Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërmijave elementare.
U prehsh në paqe miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë, i paharruari Artan Boriçi!
***
Homazhet në nderim të akademikut të asociuar Artan Boriçi, duke respektuar masat anticovid (mbajtje maske, distancë fizike dhe shmangie grumbullimi), do të mbahen tek Libri Akademik në Akademinë e Shkencave, sot më datë 26 mars 2021, nga ora 13.00-14.00.
https://www.facebook.com/akademiaeshkencave/posts/3738917359476746