Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia duhet t’i japë fund menjëherë pozicionimit të saj ushtarak brenda dhe në kufirin e saj me Ukrainën.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba vizitoi selinë e NATO-s në Bruksel dhe u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg.
Duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit, Stoltenberg deklaroi se Rusia ka dërguar mijëra ushtarë të gatshëm për lu*ftime në kufirin ukrainas ditët e fundit dhe se ai po e ndjek këtë situatë me shqetësim.
Stoltenberg deklaroi se kjo është vendosja më e madhe e trupave ushtarake që nga aneksimi i paligjshëm i Kr*imesë nga Rusia në vitin 2014 dhe theksoi se shumë ushtarë ukrainas kanë humbur jetën në përplasjet në lindje të Ukrainës në ditët e fundit.
“Vendosja e trupave ushtarake nga ana Rusisë është e paligjshme, e pashpjegueshme dhe thellësisht alarmante. Rusia duhet t’i japë fund menjëherë këtij pozicionimi brenda dhe pranë Ukrainës, t’i japë fund provokimeve dhe të lehtësojë tensionet”, tha shefi i NATO-s.
Duke i bërë thirrje Rusisë të respektojë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, Stoltenberg tha se “mbështetja e NATO-s për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës është e palëkundur”.
“Ne nuk do të pranojmë aneksimin e paligjshëm të Kr*imesë nga Rusia”, shtoi ai.
Stoltenberg kërkoi nga Rusia t’i japë fund mbështetjes për forcat pro-ruse në lindje të Ukrainës dhe t’i tërheqë forcat e saj nga territori ukrainas, duke shtuar se NATO-ja do të vazhdojë të jetë në anën e Ukrainës.