NATO reagon pas deklaratës së Vuçiç për tërheqjen e trupave të KFOR-it nga Kosova: Ja kush vendos!

“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë ato për KFOR-in, merren në pajtueshmëri me të gjitha 30 vendet anëtare”, ka thënë një zyrtar i NATO-s, kur është pyetur rreth deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, më 13 maj, se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.
Në përgjigjjen e NATO-s është thënë se aleanca veriatlantike ka kontribuuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor për shumë vjet dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për rajonin.

“Misioni ynë i KFOR-it ka për bazë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.
Vuçiç, ndërkaq, u ka thënë të enjten gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.

Vuçiq ka thënë po ashtu se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.
“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiç të enjten.

Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte “një katastrofë”.
UNMIK-u, përkatësisht Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara, është vendosur në Kosovë në vitin 2000, pas su*lmeve ajrore të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe.
Ai është vendosur në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1999 dhe e cila është ende në fuqi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, UNMIK-u ia ka dorëzuar shumicën e përgjegjësive të tij Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë po ashtu në qershor të vitit 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.