Naser Zyberi në vitin 1998: Bashkimi i votës shqiptare çelës kyç për interesin kombëtar shqiptar (VIDEO)

Bashkimi i votës SHQIPTARE është çelës kyç për INTERESIN KOMBËTAR SHQIPTAR. Kështu është shprehur ish deputeti i Partisë për Prosperitet Demokratik, tash kandidat për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi gjatë vitit 1998, në prag të zgjedhjeve parlamentare, të tretat me radhë në Republikën e Maqedonisë.

Ziberi këto fjalë i kishte shpalosur gjatë prezantimit të listës së përbashkët për deputet të dy partive politike shqiptare të asaj kohe, PPD dhe PDSH me qëllim siç ishte shprehur ai, interesin e përbashkët shqiptar dhe avancimin drejtë lirisë, barazisë dhe drejtësisë.

“Dy partitë politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare marrin pjesë bashkërisht pasi kjo ishte kërkesë e kamotshme e elektoratit shqiptar që pas përçarjeve dhe trazirave të cilat na përcollën në zgjedhjet parlamentare të vitit 1994 dhe ato lokale në vitin 1996, tash në prag të zgjedhjeve parlamentare të treta me radhë të vitit 1998, të bëjmë përpjekje që të lëmë shpirte-ngushtësinë, interesat parciale, individuale, po deshët dhe partiake dhe të ngrehemi mbi detyrën të cilën e kemi, detyrën e shenjtë tonë kombëtare, ta qojmë interesin e përbashkët shqiptar dhe ta avancojmë atë drejtë lirisë, barazisë dhe drejtësisë,” është shprehur Naser Ziberi, deputet i PPD-së në prag të zgjedhjeve të treta parlamentare në vend.

Kryeministri shqiptar Naser Ziberi edhe sot e kësaj dite vazhdon të kërkojë bashkimin e votës shqiptare, përkatësisht bashkimin e të gjitha partive politike shqiptare rreth idesë së kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i cili për synim ka rritjen e vlerës dhe rëndësisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.