Naser Ziberi: Më 15 korrik dilni në zgjedhje masovikisht

Kandidati i parë shqiptar për Kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Naser Ziberi, ka ftuar organet zgjedhore në këtë shtet që të marrin të gjitha masat e parandalimit të përhapjes së koronavirusit në ditën e zgjedhjeve.

Në një konferencë për media, Ziberi ka thënë se ndër prioritetet e tij është përballja me pandeminë, transmeton Klan Kosova.

“Unë një javë më herët nga ky vend pata rastin t’i shpalos 25 prioritetet e mia në 100 ditët e para dhe jo rastësisht në një nga pikat primare ishte se do të bëjmë çmos që të përballemi me këtë të keqe që po kaplon jo vetëm vendin tonë por tërë botën”, ka thënë Ziberi.

Pas kësaj Ziberi ka premtuar se do të angazhohet në zhdukjen e diskriminimit në Maqedoni të Veriut, duke ngritur edhe një gjykatë.

“Do të bëjmë përpjekje maksimale që të instalojmë parimet themelore të pjesëmarrjes konsensuale në të gjitha sistemet e vendit për qytetarë të barabartë. Do ta ngritim një gjykatë të lartë që do të përballen me evitimin e diskriminimin etnik nga sallat e gjykatës deri te sportelet e administratës”.

“Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjitha komunitet që mos ta shohin konkurrencën time si një hendikep por si një përparësi. Të na bashkohen pa diskriminim dhe barriera. Dilni në zgjedhje masovikisht”.