Nano: Po të kishte Zot, të parët në ferr do ishin Trumpi, Erdogani, Netaniahu, dhe soji i tyre në Shqipëri

Jo pak herë aktorët e politikës shqiptare zgjedhin tu drejtohen dhe japin mesazhe qytetarëve me thënie nga Bibla apo Kurani.

Loading video

Nga kjo përzgjedhje e politikanëve shqiptarë gazetari Mustafa Nano sjell për monologun e kësaj të marte, mendimin e tij kritik ndaj këtij fakti.

Për Nanon, mesazhet e dhëna nga politika përmes Kuranit e Biblës janë show publik, përdorimi i tyre është i pavend sepse politika është tjetër dhe besimi në fe diçka tjetër.

Monologu i plotë:

Në ekran shihet një montazh fotografik me Erdoganin, Trumpin e Netaniahun, që të tre udhëheqës të rëndësishëm të botës. Janë që të tre me librat që besimtarët i quajnë të shenjtë. Erdogani me Kuranin, Trumpi me Biblën, Netaniahu me biblën hebraike, Tanakhun. Janë besimtarë këta? Edhe mundet. Unë nuk besoj, por nuk e përjashtoj që të jenë.

Nuk e përjashtoj që të jenë besimtarë në mënyrën e tyre. Sepse besimtarët kështu janë: janë besimtarë në mënyrën e tyre. Si beson njëri, nuk beson tjetri. Prandaj pra nuk kemi pse ta përjashtojmë që Trumpi, Erdogani e Netaniahu të besojnë në Zot. Nuk kemi pse ta përjashtojmë edhe që Muhamet Sytari të besojë në Zot.

Ku i dihet?

Çfarë nuk bën vaki në këtë botë! Madje, nuk kemi pse ta përjashtojmë që Muhamet Sytari të jetë edhe shqiptar.

Me që ra fjala, Muhamet Sytari i kishte bërë këto ditë një homazh të ndjerë Mehmetit II, sulltanit që pushtoi Konstandinopojën, sulltanit që pushtoi edhe të gjitha viset ku sot banojnë shqiptarët.

Keni parë ju kështu? Do thotë ndonjëri: ok, ai është mysliman, është normale që ta bëjë këtë. Por jo, nuk është ashtu. Me këtë ai nuk bëri një gjë fetare. Bëri një gjë politike. Në këtë rast nuk është mysliman. Është turk. Ha bukën e shqiptarit e bën duanë e turkut. Apo është ndryshe, ha bukën e turkut e bën duanë e turkut?)

Po kthehem atje ku isha. Trumpi, Erdogani e Netaniahu mund të jenë besimtarë. Por prapëseprapë, Biblën, Kuranin e Tanakhun nuk i mbajnë në duar si besimtarë. I mbajnë në duar si politikanë.

Kush bën shoë me besimin, ai nuk e bën këtë në emër të besimit. E bën në emër të politikës.

Por problemi nuk është tek demagogjia e tyre aq sa është te dëmi që ata bëjnë me këtë sjellje.

Dhe dëmin ia bëjnë kulturës laike e shekullare në këtë botë. Laicizmi është një arritje e madhe e njerëzimit, që e ka burimin tek një frazë aksidentale, por fatlume, e Jezu Krishtit.

“Jepini Çezarit çfarë është e Çezarit dhe jepini Zotit çfarë është e Zotit”, u tha ai atyre që e pyesnin, nëse i duheshin paguar taksa sundimtarit.

Dhe prej kësaj fraze aksidentale buroi vlera e madhe e laicizmit, i cili me fjalë të varfra ka kuptimin që sundimtari ka punën e vet dhe Zoti ka të vetën.

Me fjalë të tjera akoma, që politika është një gjë e besimi është një gjë tjetër. Laicizmi është një vlerë, që e kanë përqafuar edhe shoqëri që nuk janë të krishtera. Mirëpo, një shoë si ky i Trumpit, Erdoganit e Netaniahut e kompromentojnë këtë vlerë.

Këtu në Tiranë ende nuk ka ardhur dita që ndonjë politikan të dalë në rrugë e sheshe me Bibël apo Kuran në dorë, por do të vijë edhe ajo ditë. Janë duke u përgatitur. Janë duke bërë nxemje. Rama nuk ka javë të mos u referohet profetëve të feve të ndryshme. Meta e Basha mezi presin të vijnë festat fetare që të bëjnë deklarata apo vizita nëpër faltore.

Ndërsa Berisha e ka kaluar fazën e nxemjes. Është gati për të filluar lojën. Në ditën e fiter bajramit, ai shkroi në facebook: “Ju bëj thirrje të gjithë hoxhallarëve të vendit, imamëve, myftijve të udhëheqin me urdhër të të Gjithëfuqishmit lutjen e besimtareve dhe të mos i tradhëtojnë ata, si dhe të dënojnë qëndrimin prej qafiri ateist, fondamentalist e diktatorial të atij që kërkon të dalë në këtë ditë të shenjtë mbi Zotin e Madhnueshem!”

Dhe pas tij, doli dhe Oriola Pampuri. “Shqiptarë, lutuni e besoni në Zot. Këtë s’mund t’ua ndalojë më njeri. Popujt e varfër janë të privuar nga feja e besimi në Perëndi. Ateizmi është farë e komunizmit e diktaturës. Sigurisht nëse ky sekt do ta njihte e pranonte Zotin, nuk do të ishte kaq mashtrues, imoral dhe i lig. Lutuni e shpërfillini të pafetë.”

Sikur të kishte Zot, mua ma thotë mendja se të parët që ai do zgjidhte për në ferr do të ishin Trumpi, Erdogani, Netaniahu, dhe soji i tyre në Shqipëri.

Dhe si shkak Zoti do kishte, në mos tjetër, shoë-n që këta bëjnë në publik me besimin në Zot, përdorimin që këta i bëjnë emrit të tij. Sepse nëse ka një Zot, dhe Ai preferon të marrë në parajsë Trumpin, Netaniahun, Erdoganin, Muhamet Sytarin, Elvis Naçin, Sali Berishën, Edi Ramën, Lul Bashën, Ilir Metën, atëherë unë po e prenotoj që tani vendin për në botën e përtejme.

Nëse parajsa është për këta, vendin tim po e zgjedh vetë. Ai është në ferr!.