Namazi i Bajramit do të falet nëpër xhami? Arben Ziberi: Gjatë verës do bëjmë edhe dasma (VIDEO)

Nëse vazhdon trendi i rënies së të infektuarve nga Covid-19, do të lejohet falja e namazit të Bajramit nëpër xhami. Kështu tha drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Arben Ziberi mbrëmë në emisionin Click Plus. Ziberi tha se në bashkëpunim me Bashkësinë Fetare Islame por edhe me epidemiologët do të hartohet një protokoll se si do të veprohet më tej me xhamitë.

„Mirëpo duhet të kemi parasysh se edhe grumbullimi nëpër xhami në mënyrën siç ka qenë është rrezik në vete , kështu që do të dalim me informata precize se si do të jetë edhe rikthimi i xhamive dhe festa e Bajramit, ka kohë edhe 2 javë dhe përseri e them duhet të shohim se a do të kemi vallë rritje të numrit apo do të kemi zvogëlim“, tha Arben Ziberi, drejtor i Qendrës për shëndet publik.

Agron Vrangalla, moderator: A ka shpresë që të paktën namazi i Bajramit të falet në xhami?

Arben Ziberi: Nëse shkojmë me këtë trend pse jo?!

Piku i virusit në vend, sipas mjekut Bekim Tateshi, ka qenë diku nga 16-19 prill atëherë kur kishim nga 100 të infektuar brenda 24 orëve.

„Është e vërtetë se lakorja tash ka filluar të biej teposhtë dhe a kemi pas ne majën ose pikun e virusit është shumë e rëndë të thuhet por sipas analizave tona ka qenë diku nga 16 deri në 19 prill, kur numri i të infektuarve ka qenë më i madh diku mbi 100 të infekuar dhe numri i rasteve aktive ka qenë diku 970“, tha Bekim Tateshi, mjek.

Mjeku, Artan Dika thotë se për lehtësimin e masave, vendi duhet të ndjekë modelin suedez të vendosë më shumë këshilla dhe rekomandime për qytetarët.

„Është shumë me rëndësi që të ndiqet rekomandimi i modelit suedez që të kthehet më shumë në këshilla në rekomandime dhe masa të caktuara për grupmoshat më të predispozuara për të pësuar nga ky virus“, tha Artan Dika, mjek.

Gjatë kësaj javë do të dilet me propozime konkrete se cilat masa do të hiqen dhe në cilën kohë, ndërsa njëra ndër masat e para do të jetë reduktimi i orës policore. Ziberi shtoi se beson se gjatë verës do të kemi edhe dasma por me protokolle të veçanta.