Myslimanët në Berlin falen në kishën për t’iu përshtatur masave kundër koronavirusit (FOTO)


Një kishë në Berlin ka mirëpritur myslimanët që nuk janë në gjendje të falen në xhami për shkak të rregullit për distancim social, sherri i koronavirusit.

Xhamia Dar Assalam në distriktin Neukolln zakonisht pret qindra myslimanë të premteve. Por aktualisht mund të pranojë vetëm deri në 50 persona në të njëjtën kohë, siç edhe lejojnë rregullat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit në Gjermani.

Gjatë muajit të Ramazanit, kisha Martha Lutheran që gjendet afër, i doli për ndihmë duke pranuar myslimanët të kryejnë ritet fetare.

“Është diçka e mrekullueshme dhe sjell kënaqësi në muajin e Ramazanit dhe në këtë kohë krize”, ka thënë Mohamed Taha Sabry, imami i xhamisë. “Pandemia na ka bërë një komunitet. Krizat i bashkojnë njerëzit”.

Kishat e xhamitë u hapën në Gjermani më 4 maj, pas një periudhe disajavëshe të mbyllura si pasojë e izolimit nga koronavirusi. Por pas rihapjes, rregullat janë që njerëzit që luten duhet të mbajnë distancë së paku 1.5 metra nga njëri-tjetri.

Këshilli Islamik, një grup që përfaqëson rreth 400 xhami, kishte thënë në muajin prill se shumë prej tyre rrezikojnë falimentimin sepse mbyllja ka pamundësuar edhe donacionet që bëhen në muajin e Ramazanit.