Myftiu Tërnava: Nuk kam t’ bëj me ligje, unë kam t’bëj me qëndrime në islam

Bashkësia Islame e Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin e saj për martesat e të njëjtës gjini, disa orë para se të nis seanca ku do të shqyrtohet në parim projekt-Kodi Civil.

Ky institucion fetar ka shpërndarë në faqen zyrtare një intervistë të Myftiut Naim Tërnava, të dhënë në korrik të vitit të kaluar, ku flitet për këtë tëmë.

Në këtë intervistë, Tërnava kishte thënë se “nuk lejohen asesi martesat e të njejtës gjini”

“Nuk kam t’bëj me ligje, unë kam t’bëj me qëndrime në islam. Qëndrimi im është ky dhe nuk ndryshon, pavarësisht çka thotë ligji. Ligji tërë ditën le t’flet, fjala e Zotit është fjalë e Zotit, fjala e Pejgamberit është fjalë e Pejgamberit. Sipas parimeve islame nuk lejohet asesi, në asnjë mënyrë, asnjëherë të shtrembërohet natyrshmëria e të qenit njeri. Nuk lejohen asesi “martesat”, po i quajmë “martesa” të një gjinie”, thotë Tërnava në këtë intervistë.

Ndryshe, përmes Kodit të ri Civil, ka shpresë të hapet rruga që të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të martohen me partneret/ët e tyre, pavarësisht gjinive që e përbëjnë çiftin.

Zyra e Presidentes, Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Kryeparlamentarit, deri në këto momente kur po publikohet teksti, nuk kanë kthyer përgjigje kur janë pyetur se cili është qëndrimi i tyre rreth hapjes së rrugës ligjore për martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

Drafti i Kodit të ri Civil i hartuar në disa vite, është finalizuar dhe Qeveria e ka aprovuar më 29 dhjetor të vitit që lamë pas. Në fakt, aprovimi i kodit në tërësi është shenja e vetme e ZKM-së, megjithëse nuk ka kthyer përgjigje për temën specifike.

Tash, drafti është në Kuvend. Gjatë hartimit të tij që ka nisur e ka vijuar në qeverisje të ndryshme, në mënyrë sporadike është komentuar kryesisht vetëm ajo se si do të parashihet në Kod të ri çështja e martesave. Më saktësisht, a do të lejojë, apo a do t’i hapë rrugë, martesave të së njëjtës gjini në Kosovë.