Myftinia e Tetovës, aksion vullnetar për dhurim të gjakut nëpër xhami

Sikur rrallëherë, myftinia e Tetovës me në krye myftiun Prof. Dr. Qani Nesimi ka organizuar aksion për dhurimin e gjakut, të cilit i janë përgjigjur shumë besimtarë që në mënyrë vullnetare dhurojnë gjak, kur dihet se në këto kohë të pandemisë shumë të sëmurë kanë nevojë për gjak. Në postimin e myftinisë së Tetovës thuhet:

Dhurimi i gjakut shkallë e lartë e solidaritetit dhe vlerë humane e morale!
Dhurimi vullnetar i gjakut është një pasqyrë e vlerave të larta fetare, etike, humane dhe morale. Muslimani e ka obligim fetar që të mendojë dhe të veprojë pozitivisht në drejtim të respektimit të tjetrit. Në Kur’anin Fisnik Allahu Fuqiplotë na mëson se, ai që shpëton një person është sikur të ketë shpëtuar të gjithë njerëzimin. Me vetë dhurimin e gjakut, dhuruesi shpreh shkallën më të lartë të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për të.

BFI – Myftinia e Tetovës falënderon dhe iu shpreh mirënjohjen më të sinqertë të gjithë atyre që u angazhuan në këtë drejtim. Falënderime të posaçme iu shprehim Kryqit të Kuq, hoxhallarëve, këshillin dhe xhematin e xhamive, për bashkëpunimin dhe ndihmën e tyre në realizimin e kësaj pune fisnike, dhurimin e gjakut: Xhamia e Vjetër fshati Kamjan, Xhamia e Vjetër fshati Tearcë, Xhamia e fshatit Shemshovë, Xhamia Qendrore fshati Reçicë e Madhe, Xhamia e fshatit Miletinë, Xhamia e fshatit Shipkovicë, Xhamia e Re fshati Pallaticë, Xhamia e Tabhanes, Xhamia e Rinisë, Xhamia e Eskit.