Kastriot Myftaraj
Një detaj domethënës në një drekë Ramazani, në një familje intelektuale shqiptare në Shkup, paraqitur në Televizionin turk TRT World
Televizioni turk në anglisht TRT World ka bërë një emision ku tregon sesi po e kalojnë muslimanët e Maqedonisë Veriore muajin e Ramazanit. Emisionin mund ta shikoni në Youtube duke shkruar atje titullin e tij: “North Macedonia enters Ramadan under curfew”.
Ekipi i televizionit turk ka shkuar dhe në familjen e një mjeku të ri shqiptar, Migjen Amzait, njëherësh edhe kryetar i shoqatës së psikologëve shqiptarë të Maqedonisë Veriore, për të treguar një drekë ramazani në një familje muslimanësh praktikues. Në emision tregohet sesi bashkëshortja e Dr. Amzait, një zonjë e re, e diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe mbush pjatat me supë te soba dhe pastaj duke i mbajtur drejtpërdrejt në dorë me gishta, i shpie në tryezë. Shtëpia duket e pajisur shumë mirë që nga kuzhina e deri te biblioteka e madhe të cilën Dr. Amzai nuk mungoi që ta shfaqte jo pa krenari.
Në shtëpinë e Dr. Amzait nuk mungonte pothuajse asgjë nga pajisjet e kuzhinës, si të gatimit ashtu dhe të ngrënies. Ajo që mungonte ishte një enë e madhe në trajtë tasi, një nga ato enë të posaçme ku hidhet supa për t’ u shërbyer në tryezë dhe ku secili merr me një lugë të madhe sasinë që do dhe e hedh në pjatën e vet. Sigurisht që Dr. Amzai dhe zonja e vet janë në dijeni të ekzistencës së kësaj ene, por parapëlqejnë të mos e përdorin, qartësisht për arsye fetare islamike.
Nëse supa shërbehet me një enë të tillë në tryezë, Zotëri Amzai do të duhej që të merrte lugën e madhe dhe të shtinte supën në pjatën e vet, por kjo do të thotë që burri t’ i kursejë një shërbim gruas, çka rrezikon që ta bëjë drekën haram. Sepse sipas rregullave kuranore gruaja duhet t’ i shërbejë burrit nga tenxherja te pjata dhe ai duhet të çojë vetëm dorën për ta shpënë lugën në gojë. Dikush mund të thotë se mund të bëhej dhe ashtu që gruaja t’ ia mbushte pjatën në tryezë burrit. Por kështu gruaja do të merrte një rol drejtues në tryezë që Kurani nuk ia lejon aspak.
Përfytyroni pak se sa tragjedi familjare kanë ndodhur në botën islame, duke përfshirë edhe muslimanët praktikues shqiptare, nga fakti që gruaja detyrohet t’ i mbushë pjatat e supës në sobë dhe t’ i çojë me dorë në tryezë. Pjata me supë nis të nxehet shpejt dhe gratë e mjera detyrohen të lëvizin shpejt që të mos u djegë lëkurën, aq sa t’ u bjerë nga dora. Kushedi sa gra janë rrahur nga burrat (rrahjen e gruas nga burri e lejon Kurani madje e këshillon kur burrit i duket e nevojshme) se u ka rënë pjata e nxehtë nga dora, ndonjëherë edhe mbi tryezë, duke spërkatur skllavopronarin me status kuranor të skllaves shërbyese.
Shkenca e psikologjisë ndër të tjera studion detajet e sjelljes njerëzore dhe Dr. Amzai si psikolog e kupton se detaji që kam përzgjedhur për të analizuar është domethënës. Ndonëse si musliman praktikues Dr. Amzai me siguri që mendon ndryshe. Gjithsesi, detaji i përmendur tregon se sa i rremë është modernizimi i muslimanëve praktikues, qofshin edhe të shkolluar.