Myftaraj: Kr*imi në xhaminë e Rrugës së Kavajës, pasojë e përpjekjeve për islamizimin e të krishterëve shqiptarë

Kastriot Myftaraj
Imami i Xhamisë së Rrugës së Kavajës, e quajtur e Dine Hoxhës, Ahmed Kalaja në deklaratat e tij për mediat gënjeu për ngjarjen kriminale që ndodhi në 19 prill në xhaminë e tij, kur një musliman praktikues sulmoi me thikë disa muslimanë të tjerë praktikues në mjediset e xhamisë duke iu shkaktuar atyre lëndime trupore. Imami Ahmed Kalaja tha për ngjarjen se “Një njeri i armatosur me një thikë godet besimtarët brenda xhamisë ”. Imami Kalaja e cilësoi ngjarjen si një “Akt barbarie” dhe tha se “shpresoj të mos ketë qenë ndonjë akt, le të themi terrorist.”

Por Imami Kalaja fshehu faktin se autori kishte qenë pjesë e xhematit të xhamisë, siç quhet grupi i muslimanëve praktikues të cilët kryejnë ritualet islamike atje. Pra autori i njihte mirë personat të cilët i sulmoi me thikë. Gjithashtu, Imam Ahmedi fshehu faktin që autori, i quajtur Rudolf Nikolli, me baba katolik, kishte qenë krenaria e tij dhe e xhematit të kësaj xhamie, për shkak se ishte një djalë me babë katolik dhe nënë muslimane, i cili ishte bërë musliman praktikues. Këtë gjë që e fsheh Imam Ahmedi e pohoi babai i djalit i cili ka folur edhe për një hoxhë që e ka radikalizuar islamikisht Rudolfin që në adoleshencën e tij.

Kur Imam Ahmedi thotë se shpreson ngjarja të mos ketë qenë akt terrorist, ai, nëse kemi parasysh faktet e mësipërme tashmë të njohura, të cilët ai i fsheh, druhet se ngjarja do të zbulohet që të jetë një akt terrorist mes rrethit të muslimanëve të radikalizuar, për çka kjo xhami ka marrë një damkë.
Ngjarja duhet të bëhet shkak për një hetim të thellë. Në Shqipëri ka një rrymë misionarësh islamikë, të përgatitur në vendet arabe, Turqi dhe Malajzi, të cilët shënjestrojnë veçanërisht djem nga familje të krishtere, ose të tillë që kanë njërin prind të krishterë dhe tjetrin me prejardhje nga një familje muslimane. Këta njerëz përzgjidhen që në moshën e adoleshencës për t’ u përpunuar me mënyra të larjes së trurit dhe shpesh edhe me droga, pa dijeninë e tyre. Kështu radikalizohen islamikisht.

Është i njëjti manual dhe skenar radikal islamik që është përdorur në Europë nga misionarët e Shtetit Islamik (ISIS) për të rekrutuar fillimisht si besimtarë muslimanë pastaj si ushtarë terroristë të rinj dhe të reja të krishterë europianë.
Një hetim i thellë ndaj ngjarjes me autor Rudolf Nikollin duhet të përfshijë edhe zbulimin se cili është hoxha që e ka radikalizuar atë më së pari dhe ç’ marrdhënie ka pasur me imamët e xhamive të tjera që ka frekuentuar, duke përfshirë edhe Ahmed Kalanë.

Ngjarja është shumë e errët dhe ka pas saj një histori shumë të errët. Të dyja duhen ndricuar me anë të hetimit. Unë kam dyshimin e arsyeshëm se Drejtoria e Parandalimit dhe Hetimit të Akteve Terroriste në Policinë e Shtetit si dhe SHISH nuk kanë ndërmend ta hetojnë çështjen ashtu sic duhet sepse nuk duan të zbulojnë të vërtetën e një nisme dhe skeme radikale islamike për të prodhuar islamikë radikalë prej të rinjve me prindër të krishterë. Drejtoria e Antiterrorit dhe SHISH nuk duan që t’ I zbulojnë këto përmasa të çështjes sepse këtë nuk e do as qeveria as ambasadat e vendeve partnere të Shqipërisë, pasi nuk duan të hyjnë kaq thellë në problematikën e Islamit në Shqipëri.
Nuk është një rastësi që ngjarja ndodh në Xhaminë që ka emrin e Dine Hoxhës, një xhami kjo që ka lidhje që në themele me shërbimet e fshehta antishqiptare, përkatësisht ato serbe, që duan të nxisin radikalizmin islamik në Shqipëri si një forcë destructive.

Xhamia që është në Rrugën e Kavajës në Tiranë mban emrin e bamirësit” musliman Hajredin Hoxha, i njohur si Dine Hoxha, i cili truallin për ndërtimin e saj në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Studiuesi shqiptar nga Kosova, Halim Purellku, vitin e kaluar ka botuar një libër, për të cilin ka përdorur ndër të tjera edhe të dhëna të nxjerra nga Arkivat e Shkupit, fondi i Armatës së Tretë të ish-Jugosllavisë monarkiste me qendër në Shkup. Në atë kohë shërbimi i fshehtë ushtarak jugosllav kryente edhe veprimtarinë e spiunazhit në drejtim të Shqipërisë. Arkivi i këtij shërbimi ruhet pranë fondit të Armatës së Tretë. Kur u shpërbë Jugosllavia në 1991, arkivat e ish-Armatës së Tretë mbetën në Shkup dhe ato përbëjnë një thesar për sekretet e marrëdhënieve serbo-shqiptare. Një copëz nga këto arkiva na sjell Halim Purellku, i cili në librin e përmendur jep fakte duke cituar dokumente që tregojnë se Dine (Hajredin) Hoxha ishte agjent i paguar i Beogradit.

Sipas këtyre të dhënave Dine Hoxha ka marrë para dhe armë nga serbët në disa raste. (Halim Purellku, “Zona e pushtimit jugosllav në Shqipëri: 1918-1921”, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë 2012, f. 118-120) Halim Purellku jep edhe referencat e plota në serbisht nga arkivat e Armatës së Tretë. Citimi që bëra më lart ka lidhje me vetëm disa prej atyre të dhënave që sjell Halim Purellku. Në 1920, kur dibranët i dhanë ultimatum Dine Hoxhës duke e kërcënuar me vdekje, ai bëri sikur i shkëputi lidhjet me serbët, por koha tregoi se kjo nuk kishte qenë e vërtetë. Është sa ironike aq edhe domethënëse që xhamia e njohur si më radikale islamike në Shqipëri, çka është ajo e Rrugës së Kavajës, është vepër e një agjenti serb! Kështu i donte dhe i do demonologjia e Serbisë shqiptarët, radikalë islamikë, ashtu që serbët t’ ia paraqesin shqiptarët Europës si rrezik të madh. Dine Hoxhës tashmë i kanë bërë edhe një këngë lavdëruese, por që nën dritën e të dhënave arkivore fiton një kuptim ironik: “O kush është Dinia gjithkush e di-e/Burrë i mençur zemërstuhi-e”.

Tashmë gjithkush e di se cili ishte Dine Hoxha: agjent i Serbisë, falë pareve të së cilës u tregua bamirës dhe na la në mes të Tiranës xhaminë e stuhisë radikale islamike.
Xhamia e Dine Hoxhës vazhdon të mbetet pikë e përplasjes së erërave të shërbimeve të fshehta që fryjnë nga të gjitha drejtimet, nga qendrat e huaja antishqiptare.