Mustafa thumbon Kurtin: Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me njësi speciale

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thumbuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje për vizitën e tij në Skenderaj, nga ku është shoqëruar me njësi speciale.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se zgjedhjet janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre dhe nuk u ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me policë me njësi speciale “zgjedhe nën tytat e armëve, njëzatenjëvjet pas çlirimit!?:.

Mustafa ka shkruar se zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje.

“Askush s’është i pari nëse duhet të barikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dal i pari, në qoftë se mendon se një komune apo një territor është pashallëk i tyre. Dhuna prodhon dhunë. Më së paku demokraci. Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve, në hygjymin e tyre për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës. Kjo nuk na nevojitet. Çdo fitore e tillë eventuale, e kujdo qoftë, është humbje”, ka shkruar ai.

Mustafa ka shkruar se Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike, jo popullizëm i shfrenuar.