Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të presidentit Hashim Thaçi për Avdullah Hotin kryeministër.
Ai ka thënë se të gjitha arsyet e VV-së që janë parashtruar në kërkesë janë paragjykime.
“Në asnjë rast nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të Thaçit sepse konsiderohet që të gjitha arsyet që janë dhënë në kërkesën e VV-së janë paragjykime dhe të pabazuara”, ka thënë ai.
Mustafa tutje ka thënë se do të presin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese ne nuk do të lëvizim në Kuvend fare por do ta presim që ajo ta marrë vendimin përfundimtar, ne nuk do ta shkelim asnjë rast as një procedurë të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Ndërkaq duke folur për koalicionin me AKR-në, ai ka thënë se marrëveshja me ta nuk ka përfunduar, por se janë marrë vesh paraprakisht që AKR të jetë pjesë e koalicionit Qeverisës.
për marrëveshjen me Listën Serbe, ai ka thënë se nuk ka asnjë element që nuk është tek marrëveshjet me partitë tjera.
“Asgjë nuk ka në atë marrëveshje që nuk ka në marrëveshjet me subjektet tjera, dhe nuk ka asnjë obligim specifik ndaj apo prej Listës Serbe”, tha ai.
E Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar dje pasi presidenti Thaçi dekretoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër. KOHA ka mësuar se një vendim për pezullimin e dekretit pritet rreth orës 17:00 sot. Për të shtunën, LDK-ja ka kërkuar seancë për votimin e Qeverisë.