Mustafa mesazh Osmanit: Rrugën e Rugovës s’mund ta trashëgojnë ata që janë jashtë LDK’së


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka thumbuar sot të larguaren nga kjo parti, Vjosa Osmani, e cila po thirret në “frymën Rugoviane”, ani pse kjo e fundit nuk është më në këtë parti. Mustafa ka thënë se rrugën e Ibrahim Rugovës nuk mundet ta trashëgoj askush që është jashtë LDK’së, përveç atyre që qëndrojnë dhe punojnë në LDK.

Kreu i LDK’së tha se vepra e Ibrahim Rugovës duhet të bëhet vepër e përhershme në Kosovë dhe jashtë saj.
“Askush s’mund ta trashëgojë këtë rrugë përpos Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atyre që qëndrojnë dhe punojnë dhe veprojnë që vepra, ideja dhe kontributi i presidentit Rugova të bëhet vepër e përhershme në Kosovë dhe jashtë Kosovës”, tha Mustafa.

Mustafa këto komente i bëri pas homazheve së bashku me kryesinë e LDK’së tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 15 vjetorin e vdekjes, ku shtoi se LDK’ja dhe Kosova ndiejnë mungesën e Ibrahim Rugovës.