Mustafa i përgjigjet ftesës së Kurtit dhe Osmanit: LDK gjithmonë ka qenë e hapur për dialog

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se do të jenë të hapur për biseda dhe dialog në konstituimin e institucioneve.
Përkundër këtij vullneti, Mustaf thotë se nuk mund të flasë për gatishmërinë e kryetarit të ri, pas Kuvendit të së dielës, që menjëherë të hënën të takohet me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin. Duke iu përgjigjur ftesës së djeshme të këtyre të fundit, Mustafa nuk sheh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit.

Sipas tij, LDK nuk është parti e barrikadave si të tjerët në të kaluarën, që kanë gjuajtur me gaz dhe mollotov, kur është dashur të bisedohet.
“LDK gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me mollotov, kur është dashur të bisedojmë. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit. por se kur LDK do të jetë e gatshme të marrë pjesë, nuk mund të flas”, thotë Mustafa.

Në mbrëmjen e djeshme, në dyert e tri partive parlamentare shqiptare, PDK, LDK dhe AAK shkuan ftesat e fitueseve të zgjedhjeve, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për konsultime rreth konstituimit të institucioneve. Në humbjen e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Isa Mustafa dha dorëheqjen nga pozita e të parit të LDK-së, derisa të dielën e 14 marsit do të mbahet kuvendi i LDK-së për ta zgjedhur kryetarin e ri.