Mustafa: Disa njerëz të partisë i janë gëzuar fitores së Vetëvendosjes, e dëshmuan se kurrë s’kanë qenë me LDK’në


Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, po thotë se janë gabim ata që mendojnë se mund ta përmbysin partinë e tij, pas humbjes në Podujevë. Por, thotë se brenda partisë së tij ka njerëz që i janë gëzuar humbjes në Llap. Mustafa deklaron se LDK është e gatshme qysh nesër t’u dalë përpara qytetarëve për të kërkuar votën.
Pas 20 vjetësh qeverisje në Komunën e Podujevës, LDK të dielën ka humbur zgjedhjet nga ish-anëtari i saj, tani pjesë e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi.

Por kjo humbje, për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, nuk është përmbysje e partisë së tij. Madje, ai thotë se kur Agim Veliu dha dorëheqje nga Podujeva për t’u bërë ministër, ishin të vetëdijshëm se vazhdimin e mandatit të tij mund ta marrë ndonjë parti tjetër.
“Ata që mendojnë se do ta kthejmë përmbys LDK-në, pasi që në Podujevë ka fituar VV për një mbetje të mandatit prej 10 muajsh, e kanë gabim. Kur e kemi tërhequr z. Veliu nga Kryetari i Komunës për ministër, kemi llogaritur se mbetjen e mandatit edhe mund ta merr tjetërkush”, ka deklaruar Mutafa për Gazetën Express.

I pari i LDK-së deklaron se partia e tij e merr humbjen si akt të dekmoracisë, derisa gëzimin e Vetëvendosjes për fitoren në Podujevë e sheh si etje për pushtet.
“Zoti Veliu dhe veprimtarët tanë në Podujevë kanë merita për fitoret e pareshtura atje. Edhe mosfitorja kësaj radhe është pjesë e jetës demokratike. Ne jemi më pak të hidhëruar, kurse VV ka rënë në ekstazë nga gëzimi euforik. LDK-së nuk i mbetet hatri nga gëzimi i VV-së. Por kjo flet se LDK humbjen e merr si akt normal të demokracisë, kurse VV e sheh fitoren si etje për pushtet”, ka thënë Mustafa.

Lideri i LDK-së ka deklaruar se brenda partisë së tij ka njerëz që i janë gëzuar fitores së VV-së në Podujevë.
“Disa njerëz nga LDK që i janë gëzuar fitores së Vv-së po e dëshmojnë se kurrë s’kanë qenë me LDK-në. Na kanë gënjyer në mënyrë perfide”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se LDK si parti e qendrës së djathtë, dallon nga partitë majtiste revolucionare. Sipas tij, brenda partisë bëhen shpesh reforma.
“LDK është parti e qendrës së djathtë, parti konzervatore, me program dhe orientim te qartë. Dallojmë shumë nga partitë majtiste, revolucionare. Ne bëjmë reforma të vazhdueshme, por në suaza të orientimeve të Partive Popullore Evropiane”, ka thënë ai.

Kryetari i LDK-së thotë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, qoftë komunale apo të përgjithshme.
“Sa u përket zgjedhjeve komunale apo të përgjithshme, që nesër jemi të gatshëm. Pa fije hezitimi”, ka deklaruar Mustafa.
Ndërkohë, me 51.64 për qind të votave, Shpejtim Bulliqi i VV-së arriti të fitojë në Podujevë, pa pasur nevojë të shkohet në balotazh.

Kryetari i ri i Podujevës ka qenë për shumë vjet pjesë e pushtetit të vjetër, Megjithatë VV’ja si subjekt po e provon për herë të parë qeverisjen aty.
Podujeva shkoi në zgjedhjet e parakohshme pasi kryetari i saj, Agim Veliu, la detyrën për t’u bërë pjesë e qeverisë në muajin shkurt të këtij viti. Në garën për kryetar të Podujevës kanë qenë Shpejtim Bulliqi i LVV’së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Naim Fetahu i PDK-së.
Shpejtim Bulliqi do ta udhëheqë komunën për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjet komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021.