Mustafa: Dialogun me Serbinë do të udhëheq Avdullah Hoti, jo presidenti Thaçi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se si parti ata nuk kanë asnjë obligim ndaj askujt, e as ndaj presidentit të Kosovës, madje thotë se dialogun do ta udhëheq kryeministri në ardhje, Avdullah Hoti.

I pari i LDK’së thotë se dialogu me Serbinë do të udhëhiqet nga qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin si kryeministër i saj, kjo gjë sipas tij është e qartë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Sa i përket dialogut unë nuk do të pajtohesha që dialogun e udhëheq presidenti dhe se në dialog sfidohet presidenti. Ne e kemi të qartë se dialogu mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon ta bëjë qeveria e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.
“Ndërkaq presidentit i takon hisja e dialogu gjithashtu sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se qeveria drejton politikën e jashtme në konsultim me presidentin e vendit. Përgjegjësinë për dialogun edhe në programin qeverisës i cili është përgatit me partnerët e kësaj qeverie do ta merr qeveria e Republikës së Kosovës”, theksoi Mustafa.

Mustafa po ashtu tha se me partitë e koalicionit akoma nuk kanë diskutuar se kujt do t’i takon pozita e presidentit të Kosovës, pozitë kjo që do skadon më 2021.

Ai po ashtu mohoi se ka marrëveshje për rizgjedhjen e presidentit Thaçi edhe për një mandat të ri.

“Me partnerët e koalicionit nuk e kemi diskutuar pozitën e presideneit. Arsyeja pse nuk e kemi diskutuar është se asnjë prej këtyre subjekteve nuk e ka pasur fuqinë e votave në mënyrë që dikujt t’i garantoj nesër që mund ta bëjë presidentin’, tha Mustafa.

“Nuk e kemi marrë asnjë obligim ne si Lidhje Demokratike e Kosovës për presidentin dhe ka mbet ajo çështje që të zgjidhet në momentin kur vjen koha e shpalljes së zgjedhjeve”, theksoi ai.