Në Luginën e Preshevës sot janë duke u mbajtur zgjedhjet e Këshillit Nacional, i cili merret ekskluzivisht me çështjet e shqiptarëve atje, me qëllim të avancimit të të drejtave të tyre në fushën e arsimit, kulturës dhe përdorimit të simboleve kombëtare.
Në këto zgjedhje ka kandiduar edhe Demo Berisha, i njohur tashmë si shqiptari që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ai kishte thënë se është në kërkim të bashkëpunotërëve të tjerë, ndërsa, synon që t’ua marrë elektoratin partive shqiptare në Preshevë e Bujanoc.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, këtë të fundit e ka quajtur manipulatorë e mashtrues, duke shtuar se nëse ky i fundit zgjedhet, është në dëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Së fundmi e ka hapur një organizatë të quajtur ‘Ama e Shqiptarëve në Serbi’, e cila është hapur me aminin apo me aprovimin, apo me bashkëpunimin e Beogradit dhe institucioneve të saj. Ndërsa, qëllimi i kësaj organizate është manipulimi me qytetarët dhe minimizimi i rolit të shqiptarëve në Serbi në përgjithësi, por edhe manipulimi me ta në Luginën e Preshevës, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Nëse ky njeri zgjidhet apo rizgjidhet është shumë e dëmshme për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Para se gjithash ky është një mashtrues, i cili mundohet të manipulojë dhe së fundmi është rebeluar në aspektin e vet të paraqitjes publike dhe të deklaratave publike që i bën kundër marrëveshjeve që edhe vet Vuçiqi ka bërë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Që do të thotë ky është kundër integrimit të Serbisë në BE e që me një automatizëm çon të mendohet që ky bashkëpunon me elementin e Federatës Ruse dhe është kundër të gjitha marrëveshjeve të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Musliu.
Lexo po ashtu:
Ai ka shtuar se Berisha ka qenë ish-oficer i Armatës jugosllave e më vonë serbe, ku i njëjti mund të organizojë ndonjë eksces në lidhje me shërbimet sekrete ruse apo serbe.
“Ky është i njohur, ka qenë ish-oficer i armatës jugosllave, pastaj serbe, ka marrë pjesë në të gjitha proceset prej vitit ’91 deri më sot, edhe në luftërat prej Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe në Kosovë, të cilën nuk e mohon. Dhe, si i tillë, është i rrezikshëm për shkak të manipulimeve që mund t’i bëjë, që do të thotë edhe në aspektin politikë, por mund të pritet edhe ndonjë eksces tjetër të cilin mund ta organizojë në lidhje me shërbimet sekrete ruse apo serbe në Serbi”, tha ai.
Para pak ditëve në Novi Sad ishin rrahur brutalisht dy të rinj nga Kosova. Këta të fundit ishin sulmuar pasi ishin dëgjuar duke folur shqip, të paktën kështu kishin deklaruar dy të sulmuarit. Për këtë incident ishte kujdesur edhe Demo Berisha.
“Mund të shihni edhe gjatë, kinse kujdesit të tij gjatë atij incidenti që ndodhi më tepër se një muaj, kur dy të rinj u torturuan dhe u rrahën brutalisht në Novi Sad, vetëm pse flisnin shqip dhe ndihma e tij ishte si tregues, i cili mund të na thotë që ky person i quajtur Demo Berisha mundohet që nëpërmjet këtyre veprimeve që të legalizojë veprimet e tij politike dhe të afrohet sa më shumë liderëve shqiptarë të Preshevës, për të legalizuar edhe veprimin e vet”, deklaroi Musliu.
Ndryshe, Demo Berishës ka deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë.
Nuk i mjaftoi me kaq, ai kishte quajtur Kosovën si “Kosovë e Metohi”. Berisha kishte deklaruar se nuk është shqiptari i vetëm që mendon kështu, prandaj, ai në vitin 2014-të kishte themeluar në Serbi, organizatën joqeveritare “Ama e Shqiptarëve të Serbisë”. /kp