Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Abu Dhabi në kuadër të një forumi ndërkombëtar mbi sigurinë energjitike. Shefi i qeverisë shqiptare ka marrë vëmendjen e mediave me surprizën e veçantë që i bëri kyeministres italiane Giorgia Meloni me rastin e ditëlindjes së saj të 48-të.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, Rama i dhuroi Melonit një shall gri të zbukuruar me portrete të personaliteteve shqiptarë të shekullit të kaluar.
Në videon e publikuar nga mediat italiane, kryeministri Rama shihet teksa e pret Melonin në pavijonet e Qendrës Kombëtare të Ekspozitave në Abu Dhabi dhe teksa ajo mbërrin i drejtohet “Madhëria juaj” dhe i këndon një version të improvizuar të këngës “Tanti Auguri”.
Shefi i qeverisë kërkoi nga të pranishmit t’i bashkoheshin, por pa shumë sukses.
Në një moment gazmor, Rama vijoi me batuta: “Unë kam një zë si një gomar shqiptar.”
Meloni, e kapur në befasi, vendosi shallin mbi kokë në stilin arab, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.
Gjatë bisedës, Rama vijoi komentet për marrëdhënien e tyre të ngushtë politike dhe personale, duke shtuar me ironi: “Musk një rival për mua? Të tjerët vijnë dhe shkojnë, unë qëndroj.”
Meloni iu përgjigj me një buzëqeshje dhe një koment të shkurtër: “Çfarë personazhi!”