Murtezani: “MEPSO me 16 milionë euro investime në vitin 2023”

Sh.A. MEPSO, e udhëhequr nga kuadri i Alternativës Orhan Murtezani, në vitin 2022 realizoi rreth 43% të planit gjeneral investues, duke e përmirësuar dyfish nivelin e realizimit krahasuar me vitin 2021. Drejtori i MEPSO-s Murtezani, për vitin e ardhshëm ka plan edhe më ambicioz. Me vetëfinancim, MEPSO planifikon investime në vlerë prej 16 milionë euro në infrastrukturën e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike.

“Gjendjen e sistemit elektropërçues në përgjithësi e vlerësojmë si të qëndrueshme dhe me mangësi minimale ose mangësi brenda kufijve të pranueshëm, kështu që nuk presim vështirësi në menaxhimin e sistemit. Presim që trendi i njëjtë do të vazhdojë edhe më tej”, tha drejtori i MEPSO-s, Orhan Murtezani. Murtezani sot para gazetarëve elaboroi edhe projektet e rëndësishme të cilat i ka realizuar MEPSO gjatë këtij viti, me qëllim ngritjen, përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës energjetike në mbarë vendin.