Murseli: Kemi projekt 40 miljon euro për ujësjellësin në Tetovë, Arifi ka shpenzuar dy buxhete dhe nuk e realizoi

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët për kryetarë i Komunës së Tetovës, Vullnet Murseli, ka paralajmëruar projekt prej 40 miljonë euro për zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm një herë e përgjithmonë. Ai në emisionin “Rruga drejt” në Alsat, tha se kryetarja aktuale, Teuta Arifi, ka premtuar në vazhdimësi, por nuk i ka realizuar premtimet, ndërsa problem kryesor ai theksoi se është rrjeti i qytetit.

“Teuta Arifi premtoi por nuk e realizoi problemin e ujit. Ne do ta zgjedhim atë me atë që do ta ripërtërijmë komplet rrjetin e ujësjellësit, do ta rregullojmë qasjen dhe kapjen e ujit lartë dhe njëkohësisht do të bëjmë dy rezervoare të reja dhe do ti përfshijmë edhe vendet që nuk kanë ujë. Njëkohësisht duke u zgjidh problem jo vetëm I Tetovës, këtu I kemi edhe fshatrat përrreth, Xhepçishti, Llaca, Falishti, Saraçina, nuk është bërë asnjë përpjekje për tu rregulluar çështja e ujit. Ne kemi plan edhe atë mund ta shfrytëzojmë edhe kur të bëhet gropimi i gazifikimit dhe kemi paraparë rreth 40 miljon euro për katër vite që të mund ta zgjidhim problemin e ujit, një herë e përgjithmonë. Shekulli 21 ne kemi ende problem me ujin, ndërsa Teta Arifi ka filluar ta premtojë edhe gazin se do ta sjellë”, tha Murseli.