Trajneri i Kosovës, Ismet Munishi, ka insistuar se lojtarët e ekipit kombëtar të Kosovës nuk do ta ndiejnë presionin gjatë ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ata nuk janë çuna mami, por burra.
Edicioni i kaluar i Ligës së Kombeve të UEFA-s ia dha Kosovës një mundësi të dytë për ta zënë një vend në Kampionatin Evropian 2020, si fituese e Grupit 3 të Ligës D, pas mosarritjes për t’u kualifikuar përmes rrugës tradicionale.
Tani Dardanët janë vetëm dy fitore larg kualifikimit në EURO 2020. Djemtë e Bernard Challandes duhet të marrin fitore në ndeshjen gjysmëfinale të play-offs kundër Maqedonisë së Veriut më 26 mars, ndërsa pastaj, nëse e fitojë ndeshjen e parë, do ta vizitojnë ose Gjeorgjinë ose Bjellorusinë në finalen e madhe.
Përkundër që tifozët në Kosovë mezi po e presin ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut, e pastaj eventualisht edhe atë kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë, Munishi beson se lojtarët e Kosovës nuk do ta ndiejnë presionin për këtë ndeshje.
“Ne i kemi lojtarët që luajnë nëpër skuadra të mëdha dhe kemi lojtarë që zhvillimi i tyre edhe social e edhe sportiv i ka bërë të fortë. S’kemi lojtarët që janë çuna mami, ata janë burra. Kështu që kemi shumë besim te ata”, ka thënë Munishi në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Por, edhe në rast të ndonjë rezultati që s’na konvenon, s’duhet t’u bëjmë preson sepse kanë bërë ndeshje të mirë. Duhet të mblidhemi e të këqyrim për ndeshjet e radhës”.
Më tutje, Munishi ka thënë se ai do të preferonte që Kosova të kualifikohet për Kampionatin Evropian 2020 më shumë sesa që skuadra e tij, Ballkani, ta fitojë titullin e këtij sezoni tëIpko Superligës së Kosovës.