Mungojnë logopedët nëpër shkollat e Tetovës

Gjithnjë e më shumë shtohet zërat që kërkojnë punësimin dhe angazhimin e logopedëve nëpër institucionet arsimore në Tetovë dhe jo vetëm. Prindërit e fëmijëve që kanë problem me të folurit duhet që të dërgojnë fëmijët e tyre nëpër logoped privat pasi që në shkollat ku këta fëmijë vazhdojnë shkollimin nuk kanë të angazhuar logoped. Blerta Qamili, edukatore speciale thotë se ky është një problem i madh sepse nevoja për patologjinë logopedike është shumë e madhe dhe në shkollat tona nuk ka asnjë logoped.

“Punësimi i logopedëve në institucionet tona arsimore është në nivel të ulët. Për mos me thënë, aspak nuk është prezent. Zakonisht logopedët mund t`i gjejmë vetëm në institucionet private. Në Tetovë ka vetëm një logopede, e cila nuk ka as mundësi kohore por edhe fizike që t`iu përgjigjet gjitha kërkesave apo nevojave. Dy tjera janë të vendosura nëpër institucione private, ndërsa nëpër shkolla nuk ka asnjë logoped të punësuar. Kjo është një problematikë e madhe sepse nevoja për patologjinë logopedike është shumë e madhe dhe në shkollat tona nuk ka asnjë logoped që mund t`ju vijë në ndihmë fëmijëve me këta probleme. Ka iniciativë që në kuadër të shkollës fillore Liria të ketë paralele speciale ku do të punësohen logoped dhe fëmijët që do të kenë nevojë do të mund të drejtohen atje për trajtim. Sa do të jetë efektive pritet që të shohim në të ardhmen”, shprehet Blerta Qamili, edukatore speciale.

Në mungesë të logopedëve shpesh herë në shkollë merren edukatoret që përkujdesen për fëmijët me nevoja të veçanta dhe kjo sipas saj nuk është në rregull. Me këta fëmijë ajo thotë se, duhet që të merren ekskluzivisht logopedët. “Asnjëherë nuk guxon që me fëmijët që kanë probleme në të folurit të merret një edukatore, pra kemi të bëjmë me profile te ndara, edhe pse gjatë shkollimit, këta edukatore mund të kenë patur lëndë për logopedinë, mirëpo ajo është vetëm hyrje për të detektuar nëse ka problem logopedike, mirëpo për trajtim logopedik assesi nuk guxon asnjë edukator special, psikolog ose terapeut të tjerë të merren me problemet logopedike, sepse mund të shkaktojnë një problem tjetër më pas. Nëpër shkolla ka shumë nevojë për logoped dhe në mungesë të tyre normalisht që punën e realizon edukatorja speciale e cila mundohet të jep ndihmë, mirëpo kjo nuk është efektive dhe nuk është e rekomandueshme. Këta fëmijë duhet të drejtohen direkt tek logopedët”,nënvizon ajo. Numri i të rinjve që janë të specializuar për logoped është i vogël kurse nevojat janë të mëdha. Krahas asaj që për angazhimin e këtyre personave nëpër institucione duhet shumë procedura institucionale, problem në vete është edhe mungesa e kuadrit të mjaftueshëm.

“Është shumë i vogël i atyre të rinjve që kanë vendosur të studiojnë logopedinë është shumë i vogël tek ne, në krahasim me nevojat që janë nëpër shkolla, prandaj kemi edh mungesë të kuadrit. Problemi nuk është vetëm procedural nga ana institucioneve që shpesh herë kthejnë përgjigje negative për shkollat, mirëpo një faktor tjetër është edhe mungesa e kuadrove të logopedëve dhe kjo mungesë vërehet shumë edhe në Tetovë. Por, edhe qytetet tjera nuk qëndrojnë më mirë në këtë drejtim. Këta fëmijë marrin terapi private që kushton shumë dhe në këtë drejtim janë lënë në përkujdesjen e vet familjes pa përkujdesje institucionale”, thotë Blerta Qamili, edukatore speciale. Ende nuk ka informacione se çfarë hapa do të ndërmerren për të angazhuar logoped nëpër shkollat e Tetovë, kurse nevoja për këtë kuadër është e madhe. (koha.mk)