Muhamed Zekiri: S’ka Maqedoni të Veriut pa shqiptarët

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar tension mes palëve politike. Mumamed Zekiri, nënkryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM) tregon për Balkan Talks arsyet e këtyre tensioneve.
“Tensioni e bën opozita maqedonase pasi nga shqiptarët duan të bëjnë regjistrimin, i cili duhet parë si statistikor, jo politik. Ka filluar regjistrimi i diasporës dhe duhet të regjistrohen të gjithë online, ku deri tani mbi 40 mijë janë regjistruar nga diaspora dhe në prill fillon regjistrimi brenda vendit,” – thotë nënkryetari i LSDM-së.

Në vitin 2012 dështoi regjistrimi i popullsisë pasi sipas z.Zekiri ai proces kaloi nga statistikor në politik.
“Është harmonizuar ligji sipas standardeve evropiani, në 2012 dështoi nga politizimi që ju bë regjistrimit, ku donin regjistrim jashtë ligjit dhe u ndërpre ky proces. Mendoj se duhet të dalim sa jemi dhe jo më shumë apo më pak dhe kjo nuk do kontestohet nga shqiptarët,” – shprehet Zekiri.

Polemikave të opozitës maqedonase për regjistrimi Muhamed Zekiri i përgjigjet duke thënë se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni të Veriut.
“Askush nuk e rrit dot numrin artificialisht, por ata kanë problem në mënyrën si mendojnë politikën. Maqedoni nuk ka pa shqiptarët dhe pa qytetarët e saj nuk ka shtet. Duhet ta shohin si proces statistikor, dikush ka probleme të tilla dhe del proteston. Të drejtat që ka fituar një komunitet do jenë gjithmonë dhe ne do e çojmë deri në fund këtë census,” – tregon z.Zekiri.

Gjatë intervistës gazetari Franko Egro e pyeti dhe për problemin me Bullgarin, për këtë çështje z.Zekiri tha se janë në bisedime.
“Interesi ynë si shtet është të zgjidhim çështjen më Bullgarin, që mos kemi probleme për integrimin në Bashkimin Evropian. Ne ishim gati për të hapur bisedimet, por inat i Bullgarisë e ndërpreu këtë, por ne jemi në kontakt me ta për të zgjidhur çështjen,” – shprehet z.Zekiri.
Ndërsa pyetjes se përse zgjodhën vaksinën kineze dhe ruse, z.Zekiri iu përgjigje se e bëmë për shëndetin e popullit, por drejtimi i tyre dihet që është drejt perëndimit.