Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) nuk e ka pranuar kërkesën e Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) ”Tetova” për rritjen e numrit e të punësuarve.
Sipas ministrisë, NPK-ja parashikon numër më të madh të vendeve të punës të sistematizuara sesa minimumi i lejuar ligjërisht, andaj edhe nuk u kanë dhënë pëlqim, shkruan Portalb.mk.
Një nga problemet e kamotshme që vazhdon të bashkëjetojë me qytetarët e Komunës së Tetovës është grumbullimi i mbeturinave nëpër rrugë, si me mungesa e pastrimit më të shpeshtë të tyre.
Edhe pse Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” ka rreth 200 të punësuar, vetëm rreth 50 janë të angazhuar në pjesën e pastrimit dhe mirëmbajtjes së qytetit, ndërsa pjesa tjetër nëpër sektorë të tjerë, si kanalizimi, gjelbërimi, roje në filtër stacion, roje në rezervar etj.
Kohë më parë, kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se me sistematizimin e vendeve të punës numri i personave të angazhuar në pastrim të rritet.
Nga NPK Tetova “Tetovë” për Portalb.mk sqarojnë se me ndryshimin e rregullores për sistematizimin e vendeve të punës, janë bërë ndryshime ku është paraparë të kryhet rritja e numrit të planifikuar të përmbaruesve te kategoria dhënës të shërbimeve (vendi punës: pastrues komunal në Sektorin veprimtari komunale).
“Në pajtim me udhëzimet e MSHIA, ndryshimet e rregullores për sistematizimin e vendeve të punës janë dërguar për marrje të pëlqimit deri te MSHIA, me çka pas marrjes së pëlqimit pozitiv ndërmarrja do të vazhdojë me procedurat tjera të parapara me Ligjin për sektorin publik, për procedurë vijuese. Në pajtim me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik me anë të ndryshimeve planifikohet që të rritet numri i përmbaruesve për 10% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve”, thanë nga NPK Tetova.
Por, nga ana tjetër, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për Portalb.mk bën të ditur se NPK “Tetova” tre herë ka dorëzuar kërkesa në lidhje me sistematizimin e vendeve të punës, me të cilën bëhet rritja e numrit të vendeve të punës (ushtrues detyre) në ndërmarrje, duke e tejkaluar numrin e lejuar të punësuarve sipas ligjit.
Andaj kjo Ministri sqaron se kanë dhënë sugjerime disa herë që të njëjtën ta respektojnë, por sipas tyre të njëjtat nuk janë respektuar dhe për këtë nuk ka dhënë pëlqim.
“NPK “Tetova për herë të tretën herë dorëzoi rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për sistematizimin vendeve e të punës, në të cilën sërish parashikon numër më të madh të vendeve të punës të sistematizuara, se minimumi i lejuar ligjërisht, të cilin MSHIA-ja, për herë të tretë, me të njëjtat vërejtje dhe disa sugjerime nomoteknike e njofton NPK Tetovën për tejkalimin e vendeve të punës të sistematizuara dhe pamundësinë për shkak të kësaj që ministria të japë pëlqim për ndryshimin e dorëzuar”, thanë nga MSHIA.
Deri në datën 20.07.2022 NPK Tetova informon se në këtë ndërmarrje janë të punësuar 247 persona edhe atë: 34 nënpunës administrativ, 207 dhënës të shërbimeve (duke mos bërë ndarjen se sa në çfarë sektorë) dhe 6 personel teknik.
NPK-ja sipas asaj që Komuna ka njoftuar ka mbi 9.6 milionë euro borxh, dhe kjo përbën problem për funksionimin e ndërmarrjes. Për këtë, Kasami ka njoftuar ndarjen e ndërmarrjes në dy drejtori, drejtoria e ujësjellësit dhe ajo për menaxhimin me mbeturinat.