MSH: Masat do të ashpërsohen kur do të paraqitet nevoja

Ministria e Shëndetësisë ka ndarë informacione për mbledhjen e Komisionit për sëmundje ngjitëse.
Në këtë mbledhje, është vërtetuar se rritja e lehtë e rasteve pozitive në Tetovë dhe Shkup ka ardhur si rezultat i ahengjeve familjare në ambiente të mbyllura, por sërish nuk janë rekomanduar masa shtesë restriktive.
Gjithashtu, nuk ka presion nga pacientët e hospitalizuar, ndërkaq thuhet se masa shtesë do të ketë atëherë kur do të paraqitet nevoja, duke mos sqaruar se kur.

“Rritje e lehtë e rasteve pozitive nga të testuarit për Covid-19 ka në Shkup dhe Tetovë. Sipas analizave, në Tetovë shpërndarja e virusit është për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve dhe protokolleve gjatë organizimit të ahengjeve familjare dhe të tjera në ambient të mbyllur. Edhe përskaj numrit të rasteve aktive dhe pozitive nga të testuarit për Covid-19, gjendja është stabile, kurse në spitale nuk ka presion nga hospitalizimet. Komisioni për sëmundje ngjitëse për momentin mbetet në masat e rekomanduara deri më tani, të cilat do të ashpërsohen në momentin kur do të tregohej një nevojë e tillë. Ministria e Shëndetësisë apelon që qytetarët t’u përmbahen rekomandimeve për mbrojtje dhe parandalim të shpërndarjes së virusit Covid-19”, thuhet në njoftimin e MSh-së.