MSH-Maqedoni: “69% e rasteve të reja me Covid-19 janë të pavaksinuar”


Ministria e Shëndetësisë publikon analizën e të vaksinuarve, nga rastet pozitive me Covid-19, në periudhën 6 gusht deri më 25 nëntor 2021. Të vaksinuar janë personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës.

“Në periudhën 06.08-25.11.2021 në territorin e vendit rezultuan pozitivë nga të testuarit me Covid-19 58.276 qytetarë, nga të cilët 31% ishin të vaksinuar plotësisht, pra 17.896 persona. Është një numër i madh i qytetarëve të pavaksinuar që janë infektuar me Covid 19. Sipas statistikave të muajve të fundit, 40.380 qytetarë, pra 69% e të infektuarve pozitivë me Covid-19 nuk janë vaksinuar.

Përqindja e të shtruarve të pavaksinuar është e lartë, nga 468 pacientë të shtruar aktualisht, 91 janë të vaksinuar plotësisht.

Vdekshmëria te të pavaksinuarit është drastikisht më e lartë, tregojnë analizat. Në periudhën 6.08-25.11.2021 në territorin e vendit kanë vdekur 1.986 pacientë me Covid-19, nga të vdekurit 1.571 pacientë, pra 79% të pavaksinuar dhe 21%, pra 415 kanë qenë të vaksinuar. Sipas analizave të ndjerët kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga MSH u bëjnë thirrje qyfterëve që të vaksinohen, se vetëm në këtë mënyrë mund të mposhtin pandeminë.